3 Gabime që Bëjmë kur Lutemi
Kujdesi për fjalët që përdorim gjatë lutjeve (duave) është një temë shumë delikate. Lutjet tona mund të kenë ndikim të madh në jetën tonë dhe, siç përmendet në Kur’an, njeriu ndonjëherë kërkon diçka pa i kuptuar plotësisht pasojat e saj. Një nga ajetet që flet për këtë fenomen është: “Dhe njeriu lutet për të keqen ashtu siç lutet për të mirën, e njeriu është shumë i nxituar.” [1]
Ky ajet tregon se njeriu mund të kërkojë diçka pa u menduar mirë dhe ajo mund të kthehet kundër tij. Dy shembuj konkretë për gabimet që ne i bëjmë pa vetëdije janë si më poshtë:
1. Kërkimi i shërimit dhe i durimit në përgjithësi
Duaja për shërim
Nëse një person është plotësisht i shëndetshëm dhe thotë: “O Zot, më jep shërim!”, pra një person i shëndetshëm lutet për shërim pa pasur nevojë, kjo mund të nënkuptojë në mënyrë indirekte që fillimisht duhet të sëmuret për të marrë shërimin. Duke qenë se shërimi jepet kur ka një problem shëndetësor, një lutje e tillë naive mund të sjellë sëmundje pa vetëdije.
Në vend të kësaj, duhet të thuhet: “O Zot, më ruaj nga sëmundjet dhe më dhuro shëndet të mirë!” Ose ”O Zot nëse kam ndonjë problem shëndetësor që unë nuk e di, të lutem më jep shërim të plotë për të!” Dhe në fakt, idealja është që kur e kërkojmë dicka, ta kërkojmë në formën më të mirë të mundshme, pa i vënë limite kërkesës që kemi. Nëse duam shërim, të kërkojmë shërim të plotë që nuk lë asnjë shenjë e pasojë nga sëmundja. Pikërisht kështu lutej edhe Profeti Muhammed (savs), duke thënë: "O Allah! O Zoti i njerëzve, largoje sëmundjen, shëroje atë, Ti je i Vetmi Shërues. Nuk ka shërim tjetër veç shërimit Tënd, (na jep) një shërim që nuk lë pas asnjë sëmundje."
Duaja për durim
Gjithashtu, nëse dikush lutet: “O Zot, më jep durim!”, kjo mund të nënkuptojë që ai duhet të kalojë sprova që të bëhet i durueshëm. Në vend të kësaj, është më e saktë të thuhet: “O Zot, më bëj të durueshëm dhe të mençur në vendimet e mia!” ose në rast se po kalon një problem apo sprovë specifike, duhet të lutet duke e specifikuar, si p.sh: “O Zot! Më jep durim për këtë problem që po kaloj!” Pra, duhet që:
- Të jemi specifikë në atë që kërkojmë,
- Të përdorim lutje që janë të sigurta nga pasojat e padëshiruara,
- Të ndjekim formulimet e duave nga Kur’ani dhe Suneti, të cilat janë të zgjedhura me mençuri dhe nuk mbartin rreziqe të fshehura.
Në Islam, lutjet janë një mjet i fuqishëm dhe një bekim, por duhet të bëhen me vetëdije dhe me fjalë të menduara mirë.
2. Mungesa e këmbënguljes dhe humbja e shpresës
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) na ka mësuar që të vazhdojmë të bëjmë dua me bindje të plotë dhe pa u dorëzuar. Lutja nuk duhet braktisur vetëm sepse përgjigja nuk vjen menjëherë.
Profeti (savs) thotë: "Lutjet e një personi pranohen për sa kohë që ai nuk thotë: 'Bëra dua, por nuk u pranua." [2] Në një tjetër hadith Ai ka thënë: "Robi i Allahut është gjithmonë në mirësi për sa kohë që nuk nxiton (në dua)." Sahabët e pyetën: "Si nxiton ai, o i Dërguari i Allahut?" Ai u përgjigj: "Thotë: 'Bëra dua, bëra dua, por nuk u pranua', dhe kështu ai lodhet dhe e braktis lutjen." [3]
Nga këto hadithe kuptojmë se një nga gabimet më të mëdha është humbja e durimit dhe lënia e duave. Allahu e dëgjon çdo lutje dhe i përgjigjet në mënyrën më të mirë, por në kohën e duhur dhe sipas urtësisë së Tij. Allahu në Kurán thotë: “Mos u bëni të plogësht në lutje dhe në thirrje ndaj Zotit tuaj. Nuk ka dyshim se ata që nuk i luten Zotit të tyre do të hyjnë në xhehenem të nënçmuar.” [4]
Allahu i Lartësuar na porosit që të mos humbasim shpresën në mëshirën dhe ndihmën e Tij, pavarësisht vështirësive dhe gabimeve që mund të kemi bërë. Këtu janë disa ajete të Kuranit që flasin për këtë çështje: "Thuaj: O robërit e Mi që e keni ngarkuar veten tuaj me mëkate! Mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është mëshiruesi dhe falësi i madh." [5] Në një tjetër ajet na drejtohet duke na thënë: "Mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në mëshirën e Allahut." [6]
Ky ajet na mëson se besimtari i vërtetë nuk e humb kurrë shpresën tek Allahu, pavarësisht sa e vështirë mund të duket situata. "Kur njeriun e godet ndonjë fatkeqësi, ai i drejtohet Zotit të tij duke iu lutur sinqerisht, por kur Allahu e shpëton dhe e begaton, ai e harron atë për të cilin më parë ishte lutur dhe madje i bën shok Allahut, duke i devijuar të tjerët nga rruga e Tij. Thuaj: ‘Kënaqu për pak kohë me mosbesimin tënd, se me siguri je prej banorëve të zjarrit!’ [7]
3. Pse Nuk Duhet të Them: "Nëse do Ti, O Allah”?
Fjala "InshaAllah" do të thotë "Nëse Allahu do/dëshiron". Në Kuran thuhet: "Mos thuaj për asgjë: 'Do ta bëj këtë nesër!' - pa thënë: 'Nëse Allahu do'. Dhe kur të harrosh, kujto Zotin tënd dhe thuaj: 'Shpresoj se Zoti im do të më udhëzojë drejt diçkaje më të mirë se kjo." [8] Me këtë ajet, Allahu na urdhëron që çdo veprim që planifikojmë ta lidhim me vullnetin e Tij, sepse asgjë nuk ndodh jashtë dëshirës dhe vullnetit të Tij. por, nuk duhet ta përdorim këtë frazë në lutje sepse ne lutje duhet të jemi këmbëngulës.
Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) na ka ndaluar të themi “Nëse do Ti, O Allah” në dua, sepse kjo mund të tregojë dyshim ose mungesë vendosmërie. Ne duhet të lutemi me bindje të plotë se Allahu mund të na japë atë që kërkojmë.
I Dërguari i Allahut ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush i lutet Allahut për diçka, le ta kërkojë me vendosmëri dhe të mos thotë: 'O Allah, nëse dëshiron, ma jep!', sepse askush nuk mund ta detyrojë Allahun të bëjë diçka kundër Vullnetit të Tij." [9] Profeti Muhamed gjithashtu na ka këshilluar duke thënë: "Lutjuni Allahut duke qenë të sigurt për përgjigjen, dhe dijeni se Allahu nuk i përgjigjet një lutjeje nga një zemër e pavëmendshme dhe e shpërqendruar." [10]
- Isra, 11
- Kehf, 23-24
- Tirmidhi, Deavat, 66
- Buhari, Deavat, 23
- Zumer, 39:8
- Jusuf, 12:87
- Zumer, 39:53
- Gafir, 40:60
- Muslim, Dhikr, 92
- Buhari, Deavat, 22