Rreth meje
Unë jam Asija, e lindur në Peshkopi, një qytet i vogël i rrethuar nga male të larta. Jam rritur në një fshat të këndshëm, ku kontakti me natyrën ishte argëtimi im i përditshëm dhe shpesh meditoja për gjithçka: natyrën, krijimin, ëndrrat, madje edhe politikën. Më pëlqenin librat, shkolla dhe aktivitetet, por mbi të gjitha më pëlqente të sfidoja veten. Kështu, pasi mbarova 8-vjeçaren, u gjenda në Tiranë, gati për udhëtimin më interesant të jetës sime.
Vitet në Tiranë më njohën me shumëllojshmërinë kulturore, ide të reja dhe njerëz pozitivë e mendjehapur që guxonin të ëndërronin pa kufi. Ndërkohë që vitet e mia studentore, plot gjallëri dhe eksperienca e udhëtime mes Shqipërisë, Turqisë e vendeve të tjera, jo vetëm më ekspozuan ndaj kulturave të ndryshme, librave e bisedave frymëzuese, por edhe i kthyen synimet e mia në plane më konkrete dhe formësuan një vizion më të qartë për të ardhmen.
Çdo vend të rrit dhe të mëson shumë për jetën. Prej dy vitesh jetoj në Gjermani, një vend ku kam mësuar vlerën e disiplinës, përpikmërisë dhe organizimit. Aktualisht ndjek një master të dytë në Fakultetin e Filozofisë, i cili më ka ofruar një këndvështrim më të thellë për të kuptuar shoqërinë njerëzore, veçanërisht rolin e gruas në familje, në punë, në politikë dhe në hapësirën publike. Më mahnit mënyra se si çdo kulturë formëson idenë e feminitetit dhe se si gratë, përmes përvojave të tyre, fuqizohen dhe marrin atë që meritojnë.
Studimet e mia përqendrohen tek temat që lidhen me gruan në të gjitha dimensionet e saj: të drejtat, aktivizmin dhe sidomos në jetën familjare. Por përtej kërkimeve akademike, identiteti im është i lidhur ngushtë me rolin e nënës.
Jam nënë e 4 fëmijëve, nga 7 muajsh deri në 7 vjeç. Të qenit nënë më duket si një laborator, ku përzihen ndjenja të ndryshme: frikë, lodhje, lumturi, krenari dhe pasiguri. Leksionet online shpesh ndërpriten papritur, teksa zërat e fëmijëve vijnë e shkojnë si valë të vogla: një kërkesë e shpejtë, një zënkë e shkurtër, një buzëqeshje që kthehet në thirrje. Pastaj, kur mbrëmja sjell qetësinë, ulem pranë kompjuterit dhe përpiqem t’i mbledh e sistemoj mendimet e shpërndara gjatë ditës, duke i kthyer në disa rreshta të thjeshtë, por plot kuptim.
Kam mësuar se gjatë një dite mund të luash shumë role: edukatore, studente, shoqe, kuzhiniere, kujdestare... dhe lista vazhdon. Kjo përzierje rolesh më ka shtyrë të krijoj strategji praktike për menaxhimin e kohës, energjisë dhe angazhimeve. E di sa e vështirë është për një nënë ta gjejë ekuilibrin mes familjes, dijes dhe zhvillimit personal e profesional. Prandaj dua t’i ndaj me ju përvojat e mia - jo vetëm teori, por këshilla konkrete dhe mbështetje e sinqertë.
Këtu do të gjeni ide, histori dhe teknika që synojnë t’ju inkurajojnë. Besoj se nënat kanë nevojë për njëra-tjetrën, për një rrjet ku gjejnë kurajë, frymëzim dhe ngrohtësi. Delikatesa nuk është dobësi, por aftësia për t’u përkulur pa u thyer dhe për t’u ngritur sërish.
Shpresoj që këto rreshta të të bëjnë të ndihesh e mirëpritur, e mbështetur dhe e inkurajuar për ta gjetur forcën dhe ekuilibrin tënd. Ky është rrugëtimi im, dhe do të isha e lumtur nëse një pjesë e saj mund të të ndihmojë edhe në jetën tënde.