Cili është veprimi më i rëndësishëm i ditës?
Veprimi i parë është si çelësi që hap derën e gjithë ditës. Ai vendos ritmin për atë që pason - një ditë me nuanca pozitive, ose përkundrazi, një ditë me nuanca negative. Kur zgjohemi, mendja dhe trupi ynë janë si një fletë e bardhë, gati për t’u mbushur me atë që ne zgjedhim të bëjmë.
Ashtu si në një provim, ku pyetja e parë mund të na motivojë ose të na demotivojë, edhe fillimi i ditës ndikon njësoj. Nëse e dimë përgjigjen dhe e zgjidhim saktë, ndihemi në kontroll dhe të sigurt për pjesën tjetër të provimit. Por nëse ngecim që në fillim, stresi rritet dhe shpesh na shpërqendron për të gjitha pyetjet që vijnë më pas. E njëjta logjikë zbatohet për mëngjesin: një fillim i mirë krijon vetëbesim dhe energji, ndërsa një veprim bosh, si shfletimi i telefonit, i dërgon trurit sinjalin se dita është humbur akoma pa filluar.
Kjo është e ngjashme edhe me një situatë diete. Kur bëjmë një devijim të vogël, si ngrënia e një ëmbëlsire, shpesh na vjen ky mendim: “Tashmë e prisha dietën.” Ky mendim mund të na çojë drejt një cikli lirie të tepruar, duke e kaluar kufirin e asaj që mund të hanim në një ditë të zakonshme pa dietë. Në mënyrë të ngjashme, një mëngjes i nisur me një veprim jo frytdhënës na bën të ndihemi sikur e kemi humbur fillimin e mbarë të ditës dhe pastaj e kemi më të vështirë ta rimarrim kontrollin.
Pra, veprimi i parë nuk është thjesht një zakon i vogël - ai vendos tonin për gjithë ditën. Kur e kuptojmë këtë, zgjedhjet tona të mëngjesit bëhen shumë më të rëndësishme.
Disa veprime pozitive dhe negative për ta filluar ditën
Veprime pozitive: Pirja e një gote me ujë të ngrotë me limon, rregullimi i krevatit, hapja e dritares dhe ajrosja e dhomës, disa lëvizje të lehta gjimnastikore, një lutje apo moment reflektimi, lyerja e fytyrës me një krem të shëndetshëm, ose çdo veprim tjetër që përmirëson shëndetin dhe gjendjen shpirtërore. Mundohu t’i bësh këto sapo të hapësh sytë dhe t’i përfshish si pjesë të rutinës së mëngjesit, ose si "fitoren e parë" të ditës - sado i vogël të jetë ai veprim.
Nga ana tjetër, këtu janë disa shembuj të veprimeve me efekt negativ që duhen shmangur: Hapja e telefonit, një video ose hyrja në rrjetet sociale, të menduarit për gjëra të pakëndshme që kanë ndodhur një ditë më parë, rikthimi i një hatermbetjeje apo situate stresuese në mendje. Këto veprime dërgojnë sinjale negative trurit dhe mund ta nisin ditën me dembelizëm dhe energji negative.
Si shpjegohet ky fenomen në aspektin psikologjik?
Psikologjikisht, veprimi i parë i ditës ka një ndikim shumë më të madh sesa mund ta mendojmë. Kur e fillojmë ditën me një veprim të vogël, por pozitiv, truri ynë merr një mesazh të qartë: “Unë jam në kontroll.” Kjo ndjenjë vetëbesimi, e njohur si vetë-efikasitet, krijon një cikël pozitiv: një veprim i mirë të çon drejt një tjetri, pastaj një tjetri. Ky është Efekti Zinxhir ose Efekti Domino - një fillim i vogël mund të shkaktojë valë pozitive që përhapen gjatë gjithë ditës.
Për shembull, kur e hap dritaren sapo zgjohesh, ndjen një ndjesi përmbushjeje. Nuk është vetëm akti fizik i hapjes së dritares që ka rëndësi, por ndjesia që ke mbaruar një detyrë dhe tani je gati për të tjerat. Truri e interpreton këtë si një “fitore ✅,” duke krijuar një ndjenjë motivimi dhe përqendrimi që vazhdon përgjatë ditës.
Nga ana tjetër, kur e nis ditën me një zakon të keq, si lundrimi në rrjetet sociale, është sikur futesh në një det të pafund pa drejtim. Truri kalon menjëherë në një gjendje stresi. Në vend që të mendosh për qëllimet e tua, fillon të reagosh ndaj kërkesave të jashtme - mesazhe, njoftime, lajme apo video. Kjo gjendje reaktive jo vetëm që të lodh mendërisht, por gjithashtu të lë me një ndjenjë humbjeje kohe dhe kotësie. Dita fillon pa një qëllim të qartë, dhe kjo shpesh e bën të vështirë rimarrjen e kontrollit për më vonë.
Në një fjalim për të diplomuarit në Universitetin e Teksasit më 2014, Admirali i Marinës së SHBA-ve, ëilliam H. McRaven, theksoi rëndësinë e rregullimit të krevatit menjëherë pasi zgjohesh. Ai tha se duke rregulluar krevatin, ti e fillon ditën me një detyrë të përfunduar. Kjo të jep një ndjesi krenarie dhe të inkurajon për t’i kryer edhe detyrat e tjera gjatë ditës. Ai argumentoi se, nëse ke një ditë të keqe, kur të kthehesh në shtëpi, do të gjesh një krevat të rregulluar që do të të kujtojë se e ke bërë diçka mirë dhe se dita e nesërme është një mundësi e re për të qenë edhe më e mirë.
Përfundimisht, fillimi i ditës është vendimtar, sepse vendos ritmin për gjithë ditën. Siç e thotë Louise Hay, e cila ishte një autore dhe mësuese shpirtërore e njohur për promovimin e fuqisë së mendimeve pozitive, “Si e nis ditën tënde, ashtu e jeton ditën. Si e jeton ditën, ashtu e jeton jetën.” Gjithashtu nuk është rastësi që Aristoteli ka thënë: “Një fillim i mirë është gjysma e punës së kryer.”