Delegimi i Punëve të Shtëpisë
"Fëmijët mësojnë më mirë duke bërë, jo vetëm duke parë." - Maria Montessori
Si fillim, duhet ta dish se delegimi i punëve të shtëpisë tek anëtarët e tjerë të saj, nuk tregon paaftësinë apo pamjaftueshmërinë tënde si zonja e shtëpisë. Si grua në atë shtëpi, detyrat e tua janë të shumta, dhe shpesh kjo mbingarkesë mund të ndikojë në shëndetin tënd fizik, shpirtëror e psikologjik. Në vend që të vraposh për t’i përfunduar të gjitha në kohë e të rrish duke mbledhur, pastruar e sistemuar rrëmujat e fëmijëve (në shumë raste edhe të bashkëshortit), këtë problem mund ta zgjidhësh që nga rrënja. Në disa raste është më mirë të tregojmë forcën e mendjes sesa atë fizike. Nuk ka pse të jemi ajo super gruaja e fortë dhe e fuqishme që i bën të gjitha vetë, sepse akumulimi i një ngarkese të tillë mund të shfaqet më vonë në forma të ndryshme, kuptohet në gjëra jo të mira.
Mos u bëj shërbëtore e fëmijëve të tu. Mësoji ata të jenë të zotët e vetes. E kuptoj që mund të mendosh: "E bëj me kënaqësi", por edhe ti ke të drejtat e tua dhe ke nevojë për kohën tënde. Kujto se një mama e lumtur, që nuk është e mbingarkuar dhe që kujdeset për veten e saj, është një mama më e pranishme dhe më e aftë për t'u kujdesur për fëmijët. Kujdesi për veten nuk është egoizëm - është një investim për familjen. Kur je e mbushur me energji dhe dashuri, ke më shumë për të dhuruar.
Dashuria e një nëne është padyshim një nga mirësitë më të mëdha të kësaj bote, por kur bëhet fjalë për edukimin e fëmijëve, vetëm dashuria nuk mjafton. Fëmijët janë pasqyrë jo vetëm e dashurisë që marrin, por edhe e përgjegjësive që u mësohen. Ndaj, për të rritur fëmijë të përgjegjshëm dhe të pavarur, është thelbësore që t’i ndihmosh të marrin pjesë aktive në përditshmëri, duke i mësuar të kujdesen për veten dhe të kontribuojnë në mirëqenien e familjes. Në këtë mënyrë, ti jo vetëm që e lehtëson ngarkesën tënde, por u jep atyre mësime jetësore të pazëvendësueshme.
Duke vepruar kështu, ti do të sigurosh 2 dobi kryesore: dobia afatshkurtër në lidhje me ty dhe dobia afatgjatë në lidhje me zhvillimin e fëmijëve. Le t’i analizojmë pak më në detaje:
Efekti afatshkurtër është lehtësimi që do të ndjesh si nënë kur ata fillojnë të marrin përgjegjësi për disa detyra. Është e kuptueshme që në fillim mund të mos i bëjnë detyrat siç duhet. Madje, mund të të hapin më shumë punë sesa të ta lehtësojnë barrën, dhe shpesh mund të mendosh: "Lëri, më mirë i bëj vetë". Por me kalimin e kohës dhe praktikës, ata do të përmirësohen. Për shembull, do të mësojnë t’i mbledhin vetë lodrat e tyre, t’i vendosin këpucët dhe rrobat në vendin e vet, ta marrin vetë një gotë ujë dhe pasi ta kenë pirë, ta vendosin gotën në lavaman ose në lavastovilje.
Gradualisht, ata jo vetëm që do të shmangin krijimin e rrëmujave të tyre, por do të fillojnë të të ndihmojnë edhe me punë shtesë si hedhja e mbeturinave, bërja e pazarit ose ndihma në përgatitjen e ushqimit. Ndërsa lista e punëve të shtëpisë është gjithmonë e gjatë, këto shembuj janë të mjaftueshëm për ta kuptuar efektin afatshkurtër: më pak rrëmuja dhe më shumë kohë për veten.
"Detyrat e vogla ndërtojnë karakter të madh."
Efekti afatgjatë është edhe më i rëndësishëm. Duke kryer punë të vogla në shtëpi, fëmijët mësojnë aftësi të rëndësishme për jetën. Për shembull, një studim nga Universiteti i Minesotës tregon se fëmijët që marrin pjesë në punët e shtëpisë zhvillojnë më shumë përgjegjësi dhe aftësi sociale, duke qenë më të përgatitur për t’i menaxhuar sfidat e jetës si të rritur. Nga ana tjetër, sipas një hulumtimi nga Universiteti i Kalifornisë, ndihma në punët e shtëpisë i bën fëmijët më të lidhur emocionalisht me familjen e tyre dhe ndihmon në ndërtimin e vetëvlerësimit. Duke ndihmuar në shtëpi, ata e kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit dhe zhvillojnë ndjenjën e përkatësisë.
"Fëmijët që mësojnë të kontribuojnë në shtëpi, do të kontribuojnë në botë."
Një tjetër përfitim i rëndësishëm është zhvillimi i aftësive për menaxhimin e kohës. Sipas revistës Child Development, fëmijët që e ndajnë kohën midis shkollës, lojës dhe punëve të shtëpisë, zhvillojnë aftësi organizative dhe qëndrueshmëri, të cilat u shërbejnë gjatë gjithë jetës. Gjithashtu, këto detyra ndihmojnë në krijimin e zakoneve të shëndetshme dhe ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë një ndjenjë të qartë përgjegjësie për rrethin e tyre dhe jetën e përditshme. Ata ia kuptojnë vlerën mundit dhe punës dhe në vetëdijen e tyre sigurohen që për të jetuar, duhet punuar.
"Përgjegjësitë e vogla i mësojnë fëmijët të kenë ëndrra të mëdha."
Prandaj, delegimi i punëve të shtëpisë te fëmijët nuk është thjesht një mënyrë për të ndihmuar prindërit, por një mësim i vlefshëm për jetën. Kjo praktikë ndihmon në krijimin e një baze të fortë për të ardhmen e tyre dhe ndihmon familjen të funksionojë si një ekip i bashkuar dhe i harmonizuar. Duke u përballur me sfida të vogla të përditshme, ata mësojnë se sukseset e mëdha ndërtohen mbi hapa të vegjël dhe të qëndrueshëm. Për shembull, përfundimi i një detyre shtëpiake u mëson atyre kënaqësinë e përmbushjes dhe rëndësinë e përkushtimit. Kjo ndjenjë e arritjes i motivon të guxojnë për ëndrra të mëdhaja si dhe të ndjejnë një farë sigurie se nëpërmjet punës së palodhur mund ta arrijnë cdo gjë.
“Nuk është pasuria që e formon karakterin e një fëmije, por përpjekjet dhe përgjegjësitë që ai mëson të përballojë.”
Kemi dëgjuar plot se si fëmijët “e vuajtur” të familjeve me gjendje jo të mirë ekonomike bëhen më të zotë të vetes së tyre në krahasim me fëmijët “e llastuar” të familjeve të pasura. Në këtë shembull, nuk mendoj se është gjendja ekonomike ajo që e formon karakterin e fëmijëve, por psikologjia me të cilën ata rriten. Nga njëra anë kemi një familje ku të gjithë anëtarët janë të detyruar të kontribuojnë për të mirën e përbashkët, dhe nga ana tjetër kemi një familje ku fëmijët nuk ka pse "të punojnë” pasi të tjerët punojnë për ta. Ama kjo është thjesht e përgjithshmja, patjetër që ka edhe familje me gjendje jo të mirë ekonomike me fëmijë që nuk bëjnë asgjë, dhe fëmijë në familje të pasura që janë stërvitur për jetën në mënyra të ndryshme. Siç e përmenda më sipër, psikologjia e familjes është ajo që e bën diferencën.