Dua e Plotë për Fëmijët dhe Prindërit
Dua për Fëmijët
Paqja dhe bekimet e panumërta qofshin mbi të Dërguarin e njerëzimit, Profetin tonë të dashur, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e Tij.
1. Dua për Besimin
O Zoti im! Kërkoj prej Teje çdo të mirë që të ka kërkuar Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Tua qofshin mbi të) dhe kërkoj prej Teje mbrojtje nga çdo e keqe prej së cilës të ka kërkuar mbrojtje Profeti Muhamed. Jepua atyre çdo të mirë me lehtësi.
O Zoti im! Udhëzoji ata në rrugën Tënde dhe bëji ata të qëndrueshëm në të.
O Zoti im! Bëji ata prej njerëzve të mirë, besimtarëve të vetëdijshëm dhe njerëzve me cilësitë që Ti i ke lavdëruar në Kuran.
O Zoti im! Jepu mundësinë ta jetojnë Islamin ashtu sic e ke urdhëruar, deri në frymën e fundit.
O Zoti im! Jepu mundësinë të shërbejnë për fenë, për Kuranin dhe për të urdhëruar për të mirën e për të penguar nga e keqja, sa të jenë në jetë.
O Zoti im! Jepu fëmijëve tanë dhe gjithë fëmijëve të Umetit më të mirën e begative të Tua, edhe për ato që nuk i kemi përmendur apo kërkuar.
O Zoti im! Mos lejo që ata të kenë boshllëqe shpirtërore. Bëje besimin, Islamin dhe familjen gëzimin më të madh për ta, që të mbushë çdo boshllëk që mund të sjellë jeta moderne. Mbushi ata me dashuri dhe mirësi, që të mos ketë vend në zemrat e tyre për gjëra jo të hajrit.
O Zoti im! Mos lejo që ta shpërdorojnë kohën në gjëra të kota, por mbushi me dije, punë të dobishme dhe adhurim.
2. Dua për Shëndetin
O Zoti im! Jepu atyre jetë të gjatë dhe të mbushur me hajr, që ta shfrytëzojnë çdo moment me vetëdije për ahiretin dhe me besim.
O Zoti im! Mbroji ata nga çdo sëmundje shpirtërore dhe fizike.
O Zoti im! Shëroji nga çdo shqetësim që mund të kenë, që ua dimë apo nuk ua dimë. (Nëse janë sëmurë: Jepu shërim të plotë pa lënë asnjë gjurmë!)
O Zoti im! Na i dhuro të gjitha të mirat që janë më të dobishme për ta!
O Zoti im! Mos i sprovo me dhimbje dhe mbroji nga cdo vuajtje, që nuk mund t’i përballojnë dhe që as ne si prindër nuk mund t’i durojmë.
O Zoti im! Jepu zgjidhje për vështirësitë dhe furnizim me gjëra të dobishme për ta.
O Zoti im! Bëji ata fëmijë të fortë dhe të shëndetshëm mentalisht, shpirtërisht dhe fizikisht. Na e mundëso t’i rrisim dhe t’i ushqejmë me gjërat më të pastra dhe më të shëndetshme.
O Zoti im! Bëjua atyre të dashura gjërat e lejuara dhe të urryera gjërat e dëmshme.
O Zoti im! Bëji ata të lumtur dhe të begatë në shëndet e jetë.
O Zoti im! Na i bëj fëmijët të shëndetshëm dhe të përkryer. Bëji ata burim lumturie për ne dhe mos na sprovo me sëmundje apo vështirësi të rënda. (Araf, 7:189)
3. Dua për Moralin, Karakterin dhe Suksesin
O Zoti im! Frymëzoji ata të punojnë për t’i zhvilluar potencialet e tyre dhe orientoji ata drejt rrugës ku do ta arrijnë versionin më të mirë të vetes. Mundësojua që t’i arrijnë këto suksese me lehtësi.
O Zoti im! Jepu atyre sukses të hajrit dhe mbaji larg sukseseve të dëmshme që mund t’i devijojnë nga rruga Jote.
O Zoti im! Bëji ata fëmijë të dashur, të zgjuar, të edukuar dhe të përqendruar në objektiva të larta.
O Zoti im! Pajisi dhe frymëzoji ata për objektiva të larta në rrugën Tënde dhe shtojua atyre dëshirën dhe ambicien e mirë për të punuar fort për ato qëllime.
O Zoti im! Bëj që ata të punojnë me aq dashuri për ato qëllime, saqë të mos kenë as dëshirë e as kohë për angazhime të kota.
O Zoti im! Jepu atyre vullnet dhe dëshirë për të bërë vepra të mira. Bëji ata të garojnë me njëri-tjetrin për punë të hajrit dhe këtë ta bëjnë me sinqeritet.
O Zoti im! Jepu shoqëri të ndershme dhe të mirë, pajisi me moralin më të pastër dhe furnizoji me besim të plotë tek Ti.
O Zoti im! Mbroji nga shoqëria e keqe dhe kurthet e shejtanit.
O Zoti im! Dhuroju fëmijëve tanë edukatë dhe zemërbutësi që t’u bëjnë mirë prindërve dhe gjithë Umetit të Muhamedit.
O Zoti im! Shtoje dashurinë, vëllazërinë dhe sinqeritetin mes tyre.
O Zoti im! Jepu atyre ndërgjegje islame, bëji robër të sinqertë të rrugës Tënde dhe ndjekës të të Dërguarit Tënd të dashur.
O Zoti im! Pastroji mendjet e tyre nga çdo gjë e kotë dhe dhuroju mençuri dhe largpamësi.
O Zoti im! Jepu mundësi ta mësojnë dhe ta arrijnë urtësinë, ashtu siç i dhe Jahjas (alejhi selam) dituri që në fëmijëri. (Merjem, 19:12) O Allah lartësoji ata në dije!
4. Dua për Mbrojtje
O Zoti im! Ruaji ata nga çdo e keqe, ashtu siç na ke mësuar në Kuran: "Unë kërkoj mbrojtjen e Allahut për ty, o biri im, nga shejtani i mallkuar." (Al Imran, 3:36)
O Zoti im! Ruaji ata nga çdo lloj fitneje: përçarje, trazire, sprove, mashtrimi, keqbërjeje, padrejtësie dhe fatkeqësie, qoftë e hapur apo e fshehtë.
O Zoti im! Ashtu siç e ruan Librin Tënd, ruaji edhe ata nga e keqja e shejtanit.
O Zoti im! Ruaji ata nga haramet dhe furnizoji me hallallin Tënd.
O Zoti im! Mbroji ata nga çdo e keqe që synon të prekë zemrat dhe shpirtin e tyre.
O Zoti im! Mos lejo që të largohen nga rruga dhe kënaqësia Jote deri në frymën e fundit.
O Zoti im! Bëji ata njerëz të sinqertë dhe mbroji nga hilet e keqbërësve dhe kurthet e tyre.
O Zoti im! Bëji ata vigjilentë dhe të mbrojtur nga mashtrimet dhe rreziqet e kësaj bote.
O Zoti im! Ruaji nga çdo gjë që mund t’i dëmtojë, t’i lëndojë dhe t’i bëjë të vuajnë.
Dua për Prindërimin
O Zoti im! Na bëj prindër të mençur, të vetëdijshëm dhe të përkushtuar për t’i rritur fëmijët tanë me dashuri, besim dhe moral të pastër.
O Zoti im! Na frymëzo që fëmijëve tanë t’ua sigurojmë ato të mira që ende nuk i kemi mësuar, të dëgjojmë për ato mundësi që ende nuk i kemi dëgjuar, dhe na jep forcë të qëndrojmë të palëkundur në detyrën tonë si prindër.
O Zoti im! Mos na sprovo me dhimbje dhe na e lehtëso prindërimin, bëje atë të dashur dhe të begatë për ne. Na dhuro durim, forcë dhe qetësi në këtë përgjegjësi të madhe, që t’i rrisim ata të shëndetshëm shpirtërisht dhe fizikisht.
O Zoti im! Na jep vendosmëri dhe vullnet të fuqishëm që ta kryejmë me sukses detyrën e prindërimit dhe të krenohemi me fëmijët tanë dhe veprat e tyre në Ditën e Gjykimit.
O Zoti im! Na jep gëzim në këtë botë dhe në botën tjetër, duke parë mirësinë, suksesin, lumturinë dhe devotshmërinë e fëmijëve tanë. Bëji ata prej atyre që luten për ne me dashuri dhe sinqeritet.
O Zoti im! Na bashko me fëmijët tanë në Xhenetin Tënd të përjetshëm, në kopshtet e begatshme ku rrjedhin lumenj të pastër dhe ku nuk ka dhimbje, frikë apo mërzi.
O Allah! Pranoje këtë lutje nga zemra e një prindi dhe bëji fëmijët tanë nga robërit më të dashur për Ty. Bëji ata shkak që ne të jemi të lumtur në këtë jetë dhe në Ahiret.
Amin! Amin! Amin! 🤲
Paqja dhe bekimet e panumërta qofshin mbi të Dërguarin e njerëzimit, Profetin tonë të dashur Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.