“Efekti Bretkosë” në jetën tonë

Nëse e ndjen se nuk po jep maksimumin tënd apo se nuk je versioni më i mirë i vetes, në rolin tënd si bashkëshorte, si nënë, si amvise e me rradhë, është momenti që të ndalosh dhe të reflektosh. Ndoshta është koha për të filluar një ndryshim të ri, të vogël por domethënës, që do ta transformojë gradualisht jetën tënde. Çdo ndryshim fillon në mendjen tonë, aty ku mbillen farat e ideve dhe vendimeve. Kur të bindemi brenda vetes për atë që duam të arrijmë, mendimi ynë i ri do të reflektohet në veprimet tona të përditshme.

Këto veprime të përsëritura krijojnë një rutinë të re. Dhe rutina jonë, ajo që ne bëjmë çdo ditë, në fakt është vetë jeta jonë. Duke ndryshuar rutinën, ne në të vërtetë ndryshojmë jetën, për mirë ose për keq. Ky është një efekt zinxhir që kërkon vetëm një hap të parë, një vendim të vogël për të nisur një udhëtim të madh drejt versionit më të mirë që mund të jemi.

Prandaj, nëse mendon se mund të kishe një jetë më të lumtur se sa kjo që ke aktualisht, është koha të ndalosh dhe të reflektosh për veprimet dhe zakonet që, ndoshta, duken të parëndësishme në moment, por që në plan afatgjatë po i japin drejtim tjetër jetës tënde. 

Ndryshimi fillon nga vetë ti. Askush tjetër nuk mund ta marrë këtë hap për ty, dhe askush tjetër nuk mund ta përmirësojë jetën tënde siç mund ta bësh ti vetë. Prandaj, ndoshta është momenti i duhur që ta marrësh në dorë kontrollin e jetës tënde. Sepse, nëse ti nuk e kontrollon, atëherë do të jenë të tjerët ose rrethanat që do ta kontrollojnë për ty. 

Kthehemi te efekti i famshëm. Efekti i Bretkosës tregon se si ndryshimet e vogla dhe graduale mund të kalojnë pa u vënë re, derisa ato të bëhen një problem i madh. Sipas një eksperimenti, nëse një bretkosë vendoset në ujë të vakët që ngrohet ngadalë, ajo nuk arrin ta kuptojë që temperatura po rritet. Gradualisht, trupi i saj përshtatet me ndryshimin, derisa një moment temperatura bëhet aq e lartë sa ajo nuk mund të lëvizë më dhe përfundon duke u përvëluar gjallë. Në të kundërt, nëse uji ngrohet menjëherë, bretkosa e kupton rrezikun dhe kërcen jashtë për të shpëtuar.

Ky efekt na mëson se në jetën tonë, shpesh nuk e vëmë re ndikimin e zakoneve ose situatave që përkeqësohen pak nga pak, pra gradualisht. Nëse nuk ndalemi në kohë për të reflektuar dhe vepruar, këto ndryshime mund të kthehen në një problem të madh që mund të jetë pa kthim mbrapa.

Efekti i Bretkosës, është shumë i pranishëm në jetën e çdokujt, e sidomos në jetën e një nëne, që përballet çdo ditë me sfida dhe vendime të vogla që, me kalimin e kohës, mund të kenë ndikim të madh. Në këtë blog do t’i trajtojmë vazhdimisht pasqyrimet e këtij efekti në jetën tonë të përditshme. Sa per ilustrim të marrim shembullin e peshës:

Askush nuk lind obez dhe as nuk bëhet menjëherë i tillë. Është pikërisht ndryshimi gradual, si uji që ngrohet ngadalë për bretkosën, që na çon në një gjendje të padëshiruar, të cilën e kuptojmë vetëm pasi kemi arritur një peshë të konsiderueshme. Në fillim, trupi ynë e përballon ndryshimin - shtimi i vogël i kalorive, një ëmbëlsirë herë pas here ose një stil jetese më pak aktiv duket i parëndësishëm.

Por gradualisht, vazhdimi i këtyre zakoneve të vogla fillon të bëhet i dukshëm. Kur arrijmë në një pikë kritike, trupi ynë fillon të japë sinjale alarmi: lodhje e vazhdueshme, probleme me shëndetin fizik, apo probleme me paraqitjen e jashtme. Vetëm atëherë kuptojmë se ky proces nuk ka ndodhur papritur, por ka qenë një efekt zinxhir, një grumbullim i ndryshimeve të vogla që janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë pa e vënë re.

Ndaj, ndërgjegjësimi për këto zakone që në fazat e hershme dhe ndërhyrja me hapa të vegjël janë çelësi për të shmangur arritjen e kësaj faze kritike dhe për të ruajtur një standard optimal.