Gabimet gjatë prindërimit: Një mundësi për mësim apo një peng për jetën?

  1. Për cfarë na vlejnë gabimet?

Për mendimin tim, arritja më e madhe është të mësosh nga përvojat e të tjerëve. Megjithatë, kjo nuk është gjithmonë e lehtë për t’u realizuar në praktikë. Prandaj, duke qenë se nuk mund të përfitojmë gjithmonë në mënyrë të vetëdijshme nga përvojat e të tjerëve, duhet të mësojmë t’i mirëkuptojmë edhe gabimet tona, të cilat janë një pjesë natyrale e jetës.

Qasja jonë ndaj këtyre gabimeve është vendimtare për mënyrën se si i përballojmë ato dhe për rrugën që ndjekim më pas. Për një nënë të re, gabimet nuk janë thjesht momente të rastësishme, por një kapitull më vete - një proces i pashmangshëm i të mësuarit dhe të rriturit së bashku me fëmijën. Gabimet tona mund të jenë gurët mbi të cilët ndërtojmë një prindërim më të mirë dhe më të vetëdijshëm. Ose, për fat të keq, mund të mbeten thjesht gabime të së shkuarës, që nuk kanë asnjë efekt pozitiv mbi të tashmen. 

Pra, e theksoj, gabimet e së shkuarës luajnë dy role të rëndësishme. Ose do të nxjerrim mësim prej tyre dhe do të punojmë për t’i përmirësuar, duke i shmangur në të ardhmen, ose ato do të kthehen në një peng që do të na shoqërojë gjatë gjithë jetës. Në fakt, është gjithmonë në dorën tonë mënyra se si i qasemi gabimeve tona.

  1. A është fëmija i parë ‘një eksperiment’?

Përpjekja për t’i menaxhuar gabimet e së shkuarës më ka bërë ta pranoj me një dozë sportiviteti edhe shprehjen: “Fëmija i parë është si eksperiment.” Pavarësisht se më vjen keq ta mendoj djalin më të madh në këtë mënyrë, në një farë mënyre, kjo më ndihmon ta shoh realitetin me më shumë mirëkuptim. Unë vetë jam vajza më e madhe në familjen time, dhe ndoshta edhe unë kam qenë një eksperiment për prindërit e mi. Në fakt, ky është një proces krejtësisht natyral dhe i pashmangshëm për çdo prind të ri.

Megjithatë, ideja qëndron në përpjekjen për t’i zvogëluar sa më shumë të jetë e mundur efektet anësore të këtij eksperimenti. Çdo mësim i nxjerrë nga gabimet, çdo përpjekje për t’u përmirësuar dhe çdo kujdes i shtuar, ndihmon jo vetëm në rritjen e fëmijëve tanë, por edhe në zhvillimin tonë si prindër. Në fund të fundit, nuk ka prindër të përsosur, por ka prindër që përpiqen vazhdimisht të bëhen më të mirë.

Që do të thotë se, edhe në rastin e fëmijës së parë, është e pashmangshme që ai të shihet si një "eksperiment," por kjo nuk do të thotë që gjithçka lidhur me prindërimin duhet t’ia lëmë rrjedhës së jetës. Sot, mundësitë për të mësuar janë më të shumta se kurrë më parë në historinë njerëzore, dhe është detyra jonë të studiojmë dhe të mësojmë sa më shumë rreth shtatzanisë, lindjes, gjidhënies e çdo aspekti tjetër të prindërimit.

Pra, ajo që e bën fëmijën e parë figurativisht "një eksperiment" është fakti se shumë gjëra do t’i përjetojmë për herë të parë. Ndryshe është teoria dhe ndryshe praktika. E mira është të mësojmë sa më shumë teorikisht për t’i ulur në minimum gabimet praktikisht.

  1. Cilin qëndrim duhet të mbajmë?

Për shembull, një nënë e re që ka bërë një gabim në ushqyerjen apo edukimin e fëmijës së saj, në momentin që e kupton dhe e korrigjon atë, duke e zëvendësuar me një veprim më të mirë, ajo e shndërron gabimin në një përvojë të vlefshme. Ky gabim bëhet një mësim jete që ndihmon për të marrë vendime më të mira në të ardhmen, dhe në këtë mënyrë, ai gabim në fakt ka një ndikim pozitiv në jetën e saj.

Nga ana tjetër, nëse ky gabim lihet pa u korrigjuar dhe mbetet i njëjtë, ai nuk bëhet asgjë tjetër veçse një kujtim i rëndë që vazhdon të na ndjekë. Kujtimi i atij gabimi kthehet në një barrë emocionale, duke na bërë të ndihemi fajtore apo të mbërthyera në pendesë. Prandaj, është gjithmonë në dorën tonë të vendosim se çfarë do të bëjmë me gabimet tona. Njerëz jemi, gabime bëjmë. Por, qëndrimi ynë ndaj tyre ka rëndësi. 

Ne nënat, jemi shpesh të prirura për të bërë gabime, sidomos kur jemi në hapat e parë të prindërimit. Tranzicioni drejt jetës prindërore është një sfidë e madhe dhe shpesh na vendos përballë situatave që nuk i kemi përjetuar më parë. Në këto raste, qëndrimi që zgjedhim të mbajmë ndaj këtyre sfidave luan një rol thelbësor. A do të jemi të hapura ndaj këshillave, t’i dëgjojmë me kujdes ato që na thuhen dhe të marrim mësime nga përvojat e të tjerëve, apo do të vendosim të pretendojmë se i dimë të gjitha dhe nuk kemi nevojë për ndihmë?

  1. Të gjithë do të na japin këshilla pa fund. Si duhet të veprojmë? 

Të jesh e hapur dhe e gatshme për të mësuar gjithmonë tingëllon më mirë. Sigurisht, ne duhet t’i përpunojmë dhe filtrojmë informacionet që marrim, duke i zgjedhur ato që janë më të shëndetshme për fëmijët dhe familjen tonë. Por gatishmëria për të dëgjuar dhe për të pranuar se nuk i dimë të gjitha është një shenjë pjekurie dhe dëshire për t’u përmirësuar. Nga ana tjetër, të pretendosh se di gjithçka dhe të refuzosh ndihmën është një qasje që shpesh na çon në më shumë gabime. Prindërimi është një përvojë që mësohet duke e jetuar, dhe duke qenë se është një botë e re për të gjitha ne, është e pamundur ta dimë gjithçka që nga fillimi.

Kur hapet një temë e re për ne, si p.sh. përdorimi i cucos, është e rëndësishme ta trajtojmë si një mundësi për t’i zgjeruar njohuritë tona. Duhet t’i dëgjojmë me kujdes eksperiencat e të tjerëve, por nuk duhet të mjaftohemi vetëm me atë që na thuhet. Sepse shpeshherë na jepet edhe informacion i gabuar. Vendimet tona duhet të bazohen në një studim të pavarur dhe të plotë mbi temën. Kjo do të thotë që, nëse u hap tema e cucos, fjalën kyçe (cuco) duhet ta analizojmë me patjetër, pastaj e përdorim ose jo është vendimi ynë i vetëdijshëm. Vetëm kështu mund të marrim vendime të menduara dhe të përshtatshme për situatën tonë.

Në rastin tim, një nga gabimet që kam bërë si nënë ka qenë në lidhje me gjidhënien. Kur linda djalin tim të parë, nuk e dija plotësisht rëndësinë e qumështit të nënës për zhvillimin e tij. Rrethi im shoqëror ishte i mbushur me njerëz që e lavdëronin qumështin formulë dhe, ndikuar nga kjo atmosferë, e konsideroja atë të barasvlefshëm me qumështin e gjirit dhe "në mënyrë që të pinte mjaftueshëm”, krahas gjidhënies, i jepja edhe qumësht formulë. Megjithëse ime më këmbëngulte që t’i jepja vetëm gji, nuk i kushtova vëmendjen e duhur këshillave të saj. Si rezultat, nuk insistova sa duhej dhe, me kalimin e kohës, djali im preferoi qumështin formulë dhe u shkëput nga gjiri.

Kur e kuptova rëndësinë e vërtetë të gjidhënies, tashmë ishte tepër vonë. Ky gabim ka mbetur gjithmonë një peng për mua, një ndjesi faji që më rëndonte sa herë e kujtoja derisa fillova ta ndryshoja qasjen time ndaj tij. Meqë të shkuarën nuk e ndryshoja dot, më duhej ta ktheja në dicka pozitive efektin e asaj pendese. Dhe kështu ky gabim më shërbeu si një mësim i jashtëzakonshëm për fëmijët e tjerë.

Përkundër vështirësive, në rastin e tre fëmijëve të tjerë, bëra gjithçka për t’ua siguruar gjidhënien. Pavarësisht se procesi ishte shumë i dhimbshëm për mua, unë këmbëngula dhe u kujdesa për cilësinë dhe sasinë e qumështit tim dhe që ata në mënyrë kategorike të ushqeheshin vetëm me qumështin tim, derisa u erdhi koha që ta linin vetë gjirin. Muajt e parë ishin veçanërisht të vështirë; shpesh qaja nga dhimbja ndërsa i ushqeja, por nuk u dorëzova. Nuk përdora as shishe biberon, e as produkte farmaceutike për lehtësimin e gjidhënies. Dhimbja dhe pengu që përjetova me fëmijën e parë më dhanë një vendosmëri të jashtëzakonshme për të mos e përsëritur atë gabim.

E njëjta gjë ndodhi edhe me lindjet natyrale. Pasi mësova rëndësinë e tyre për shëndetin e nënës dhe fëmijës, vendosa të mos shqyrtoja asnjë alternativë tjetër, për sa kohë që ishim jashtë rrezikut për jetën. Edhe kur më ofruan opsione më “të lehta,” zgjodha gjithmonë lindjen natyrale, duke qenë e vetëdijshme për përfitimet afatgjata që ajo sjell.

Si përfundim, gabimet që bëjmë si nëna nuk janë dështime, por mundësi për të mësuar dhe për t’u përmirësuar. Ato na ndihmojnë të rrisim vetëdijen dhe të marrim vendime më të mira për fëmijët tanë. Gabimet e së shkuarës na kujtojnë se gjithmonë ka hapësirë për të mësuar më shumë dhe për t’iu përkushtuar më mirë prindërimit. Fundja, nëse nuk studiojmë, mësojmë dhe përpiqemi për familjen tonë, për kë tjetër do ta bëjmë? Ky përkushtim ndaj të mësuarit dhe përmirësimit është mënyra më e mirë për t’i ofruar fëmijëve tanë dashurinë dhe kujdesin që ata meritojnë, si dhe për të siguruar që të rriten në mënyrën më të mirë e të shëndetshme të mundshme.