Gruaja: Sa shumë role!

Sa e lehtë është ta fillosh një fjali duke thënë "roli i gruas", por sa e vështirë t’i përmbledhësh në një fjali të gjitha ato role që gruaja përfaqëson. Gruaja nuk ka vetëm një rol; ajo nuk e ka luksin të zgjedhë e të thotë: “Sot do të jem vetëm nënë,” apo “Sot do të përqendrohem vetëm në punë.” Përkundrazi, çdo ditë ajo ndërthur e përmbush një mori rolesh njëherazi, si një aktore e përkushtuar në një skenë pa mbarim.

Ajo është nënë, bashkëshorte, bijë, motër, shoqe, profesioniste e amvise – njëkohësisht një udhëheqëse e palodhur e jetës së saj dhe një pikë mbështetjeje për të tjerët përreth. Këto role kërkojnë më shumë sesa përkushtim; ato kërkojnë një shpirt që nuk dorëzohet, një zemër që rreh fort për çdo detaj dhe një mendje që asnjëherë nuk pushon së menduari.

Por brenda gjithë kësaj fuqie, gruaja mbetet një qenie e brishtë. Stresi, lodhja dhe ngarkesa e përditshme mund ta godasin pa mëshirë, duke i lënë pak kohë për të menduar për veten. Ajo përpiqet të jetë gjithçka për të gjithë, por shpesh harron të jetë gjithçka për veten.

Mirëqenia e saj -  mentale, fizike dhe shpirtërore - nuk është një luks, por një domosdoshmëri. Një grua që ndjen paqe dhe harmoni me veten mund të përballojë çdo sfidë, t’i mbështesë ata që ka përreth dhe të jetë burim dashurie dhe frymëzimi. Kujdesi për veten nuk është egoizëm, por akti më i madh i dashurisë për ata që ajo do. 

Në këtë udhëtim të përditshëm mes përgjegjësive, balancimi bëhet arti më i madh që duhet zotëruar. Brenda 24 orëve, ajo duhet ta ndajë energjinë e saj për të gjithë dhe ky balancim jo vetëm që nuk është i lehtë, por ndonjëherë duket edhe i pamundur. Por me zgjuarsi dhe një strategji të mirëorganizuar, gruaja mund të krijojë një rutinë që i jep kuptim çdo momenti të ditës. Dhe në fund të ditës, ajo duhet të ndjejë jo vetëm kënaqësinë për gjithçka që ka bërë për të tjerët, por edhe për ato gjëra që ka bërë për veten.

Pikërisht për këto arsye, në këtë seri dedikuar nënave dhe përditshmërisë së tyre, do të zbulojmë teknika praktike për ta organizuar kohën dhe më e rëndësishmja: prioritetet! Bashkë do të mësojmë se si ta bëjmë jetën jo vetëm më të menaxhueshme, por edhe më të bukur. Sepse, në fund të fundit, gruaja e meriton më shumë se cdokush tjetër të ndihet e përmbushur - jo vetëm si nënë apo bashkëshorte, por si një qenie njerëzore që ndriçon me gjithë potencialin e saj.