Jetën ta kalojmë si Ramazan, që Ahiretin ta kemi Bajram

Një reflektim për nënat… 

Kur Ramazani mbaron dhe zemrat tona trishtohen..

Ka ardhur përsëri ajo ditë, dita e fundit e Ramazanit. Dhe, si çdo herë, ajo sjell me vete një përzierje emocionesh që është vështirë të përshkruhet me fjalë. Zemra është e mbushur plot: me gëzim dhe mall, me falenderim dhe një trishtim të butë. Nga njëra anë, jemi të lumtur që arritëm ta përjetojmë edhe një herë këtë muaj të bekuar, që na u ofrua mundësia të afrohemi më shumë me Allahun. Por nga ana tjetër, na rëndon ndjesia se një kohë e shenjtë po largohet nga duart tona, një muaj që e ndjenim si një mbështjellje mëshire, që s’do të kthehet deri vitin tjetër.

Ramazani i nënave: përpjekje dhe pengje 

Të gjithë besimtarët ndjejnë diçka të ngjashme në shpirt, por një kategori e veçantë e përjeton këtë fund Ramazani edhe më thellë: nënat me fëmijë të vegjël. Për to, Ramazani nuk ka qenë vetëm një muaj adhurimi, ka qenë edhe një muaj përpjekjeje për ekuilibrim ta vazhdueshëm mes punëve dhe adhurimit. Ndërsa shumëkush ka arritur të falet në qetësinë e natës, ato janë ndërprerë pa u falur aq sa do të donin. Ndërsa të tjerët kanë lexuar me orë të tëra Kur'an, ato shpeshherë e kanë humbur radhën mes faqesh.

Ka pasur netë ku pa dashje e kemi fikur alarmin, jo nga mospërkushtimi, por nga lodhja e thellë e ditës. Ka pasur iftare që i kemi ëndërruar plot me ngjyra, e në fund mezi kemi servirur disa lloje ushqimi. Dhe megjithatë, në gjithë këtë rrëmujë dhe angazhim të pashmangshëm, nuk e kemi harruar qëllimin e këtij muaji: të arrijmë një version më të mirë të vetes për të qenë më afër Zotit, aq sa mundet, me çfarëdo forme që përditshmëria na ka lejuar.

Kur pengu kthehet në urtësi!

Ndoshta e ndjen edhe ti, nënë e lodhur dhe sot paksa e mërzitur, një peng në zemër. Ndoshta Ramazani nuk u jetua ashtu siç e kishe planifikuar ta përjetoje. Ndoshta lutjet nuk ishin aq të gjata, meditimi jo aq i thellë, netët jo aq të gjalla, e faqet e Kur'anit nuk u lexuan edhe aq rregullisht. Ose edhe nëse i ke bërë të gjitha këto, ndoshta je e mërzitur që nuk i ke bërë dot cdo natë nga fillimi i Ramazanit deri në fund. Dhe ndoshta kur dëgjon për përkushtimin e të tjerëve, të lind ajo ndjesia e hidhur: “Nuk bëra dot më të mirën time.”

Por dije se kjo brengë nuk është dështim. Është dëshmi që zemra jote ka qenë e gjallë. Që ke pasur dëshirë të bësh më shumë, edhe kur rrethanat nuk ta lejuan. Dhe kjo dëshirë, kjo përpjekje e heshtur, ka vlerën e saj të madhe. Allahu i di zemrat tona, Ai i di netët kur u përpoqëm të ngriheshim, por fëmija qau. Ai i di momentet kur deshëm të lexonim, por dikush na tërhoqi për dore. Ai i sheh adhurimet që nuk ndodhën, por që ishin në zemër, të sinqerta dhe të pastërta. 

Ai i di të gjitha por nuk duhet të mjaftohemi me kaq. Ky trishtim duhet të na shërbejë për tu motivuar që të vazhdojmë njësoj me përpjekjen tonë. Dhe jo të jetojmë e mjaftohemi me shpresën se "gjithsesi Allahu na e di gjendjen!” dhe të mos përpiqemi për më shumë. Shumë gjëra ndoshta nuk ishin në dorën tonë, ama vazhdimi i të njëjtës performancë edhe pas Ramazanit varet plotësisht nga ne dhe në fakt kjo do të vërtetojë edhe sinqeritetin tonë. Shpresa e tepërt, nganjeherë e con njeriun në neglizhencë. Prandaj, edhe në këtë pikë duhet ruajtur me patjetër "rruga e mesme". Të shpresojmë tek mëshira e Allahut pavarësisht mangësisë në vepra, ama edhe ne të vazhdojmë të bëjmë maksimumin brenda mundësive që kemi. Sipas teologëve tregues që Ramazani është pranuar, është vazhdimësia e të njëjtave vepra edhe pasi Ramazani ka kaluar. 

Jeta e besimtarit është Ramazan cdo ditë!

Brenga që ndjejmë sot, në fund të këtij muaji, nuk duhet të na rrëzojë. Përkundrazi, ajo duhet të na shërbejë si nxitje. Sepse adhurimi nuk ka fund. Dhe ajo që nuk u arrit këtë muaj, mund të vazhdojë nesër. 

Nëse Ramazani na mësoi të zgjohemi më herët, ta nisim ditën me një qëllim të qartë, le ta ruajmë këtë zakon edhe tani që agjërimi ka mbaruar. Allahu nëpërmjet ngritjes në syfyr për të ngrënë ushqim, na mësoi që ngritjen në atë orar të artë të natës ta bëjmë pjesë të përditshmërisë sonë. Dhe tashmë që ne jemi stërvitur për një muaj të tërë dhe ia kemi dalë, pse ta lëmë me kaq një rutinë kaq të bukur dhe të vështirë për tu arritur? A nuk është njësoj sikur të mësojmë dicka të re në një shkollë apo kurs, dhe kur kursi të mbarojë mos ta përsërisim e veprojmë më kurrë? Cfarë vlere pati ai trajnim?

Agjërimi vazhdon. Profeti (sas) na këshillon që të agjërojmë të hënave dhe të enjtave. Gjithashtu shumë mirë është të agjërohet edhe në 3 ditët e mesit të cdo muaji sipas kalendarit hënor. Namazi po ashtu vazhdon dhe (vec teravihëve) duhet falur cdo ditë. Lëmosha dhe ndihma monetare gjithashtu duhet dhënë cdo ditë. Cdo vepër e mirë që kemi bërë në Ramazan, në fakt duhet bërë cdo ditë, brenda dhe pas Ramazanit. “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183) Pra, devotshmëri për të cilën ne duhet të punojmë dhe përpiqemi cdo ditë, duke arritur kulmin në Ramazan.

Profeti Muhammed (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë: 

“Veprat më të dashura tek Allahu janë ato që bëhen vazhdimisht, edhe nëse janë të pakta." (Buhariu)

Nëse lexuam çdo ditë pak Kur'an, pse të mos vazhdojmë ta lexojmë po aq edhe pas Ramazanit? Edhe një faqe në ditë, nëse lexohet me zemër dhe me qëllimin për të mësuar dicka më shumë, është shumë mirë për ne. Zhytja në leximin dhe zbërthimin e mesazheve të Kur'anit neve na duhet cdo ditë të jetës. Kur'ani nuk është zbritur për tu lexuar vetëm një herë në vit, gjatë Ramazanit. Patjetër që ka vlerë të jashtëzakonshme leximi në Ramazan, por ato mesazhe na duhen cdo ditë dhe cdo ditë. 

“(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t'i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.” (Sad, 29)

Dhe nëse nuk vazhdojmë ta lexojmë, mësojmë dhe kuptojmë edhe pas Ramazanit, atëherë Ramazani nuk ka funksionuar për ne. Për sa kohë që veprimet që kemi bërë gjatë Ramazanit nuk i shtrijmë edhe në përditshmërinë tonë gjatë gjithë jetës, ato mësime nuk kanë shumë vlerë. Kemi marr sevapin kur e kemi lexuar dhe mbetet me aq. 

Nëse gatuam për të tjerët, nëse ndamë nga vetja për të sjellë buzëqeshje te të afërmit apo fqinjët, pse të mos e ruajmë këtë frymë edhe tani? Nuk ka asnjë frazë në Kur'an që njeriu duhet të sillet mirë e të tregojë një moral të bukur vetëm në Ramazan. Ramazani na stërvit që të tillë të jemi gjatë gjithë vitit e gjatë gjithe jetës. Meqë njeriu harron shpejt, atëherë Allahu na e rikujton këtë stërvitje cdo vit, me “Ramazane” vazhdimisht.

Ramazani mbaron në kalendar, por nuk ka pse të mbarojë në shpirtin dhe shtëpitë tona. Mund ta zgjasim ndikimin e tij në jetën tonë të përditshme, në marrëdhënien me prindërit, me fëmijët, me bashkëshortin dhe me veten tonë. Nëse fëmijët tanë i afruam më shumë me fenë, i çuam në xhami, u folëm për Allahun, le ta vazhdojmë këtë rrugëtim. Nëse u takuam me të afërmit, këtë duhet ta bëjmë herë pas here. Ato iftare (dreka e darka) duhet të vazhdojnë gjithmonë. Jo vetëm në Ramazan. 

Versioni ynë në Ramazan, është ai që duhet të jetë përherë. Ne do të vazhdojmë me adhurimet tona, do të vazhdojmë me sjelljen dhe moralin më të bukur. Do të vazhdojmë me durimin ndaj fëmijëve dhe të gjithëve. Do te vazhdojmë ta shohim cdo punë shtëpie si investim për një familje më të lumtur. Do të vazhdojmë me dhikrin dhe duatë, edhe në kohën e syfyrit. Do të vazhdojmë me atmosferën festive në shtëpi, duke dëgjuar Kur'an apo edhe ato ilahitë e bukura që na e kane zbukuruar këtë atmosferë gjatë ditës dhe në prag iftari. Do të vazhdojmë ta lexojmë Kur'anin sikur na është zbritur neve dhe sikur bashkëbiseduesi i tij jemi vetë ne. Do të vazhdojmë të dëgjojmë ligjërata. Sepse besimtari fenë e tij e jeton cdo ditë, jo një herë në vit. 

“Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja).” (Hixhr, 99) 

Dhe kështu, nënë e lodhur, por e përkushtuar, ndoshta nuk e kalove Ramazanin në mënyrën “ideale”. Por ti e jetove me përpjekje, me sinqeritet, me dashuri. Dhe këtë mërziti mund ta kthesh në dicka pozitive vetëm nëse vazhdon me të njëjtën performancë cdo ditë të jetës. Dhe kështu, nëse do ta kemi kismet edhe Ramazanin tjetër, ne do të jemi shumë më te përgatitura për të bërë më shumë se këtë Ramazan që po na lë sot. Standardin tonë duhet ta ngrejmë vazhdimisht dhe jo të rrijmë gjithë vitin me vepra minimale duke pritur që në Ramazan papritur ne të jemi në gjendjen tonë më të mirë shpirtërore.

Ramazani na përgatit për 11 muajt e ardhshëm 

Ramazani na stërvit dhe përgatit për 11 muajt e ardhshëm të vitit, por edhe ato 11 muaj duhet të na përgatisin për Ramazanin e ardhshëm. Nëse në filluam në ditën e parë të Ramazanit të ndryshonim për mirë, të vazhdojmë me këtë linjë gjithmonë. Dhe kështu edhe Ramazani i ardhshëm do na gjejë më të përgatitur dhe pengjet do t’i kemi më të pakta e ndoshta edhe sdo të kemi më fare.

Nëse këtë muaj ishim më të kujdesshme me fjalët, më të buta me zemrën, më të përkushtuara ndaj Zotit, le ta bëjmë këtë mënyrë jetese. Le të kalojmë jetën si Ramazan, që në fund, atë fund të vërtetë, ta kemi Ahiretin si një Bajram të përjetshëm, pa pengje, pa mërziti dhe pa dëshirë për tu kthyer sërish mbrapa. 

Dhe kjo frazë aq e njohur për shumë besimtarë muslimanë, duhet të jetë motoja e jetës sonë: Jetën ta kemi stërvitje e përpjekje si Ramazan, që fundin ta kemi të lumtur si Bajram. 

“All-llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi. "Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro. Ti je mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar" (Bekare, 286) 

Amin! Ramazan të pranuar dhe Gëzuar Bajramin! ❤️