Kavanozi i një Nëne Amvise!
Shembulli me kavanozin dhe gurët është një histori shumë e njohur që përdoret për të ilustruar menaxhimin e kohës dhe prioritetet në jetë. Kjo metaforë tregon rëndësinë e vendosjes së gjërave më të rëndësishme në vend të parë, përpara gjërave të vogla dhe më pak të rëndësishme.
“Një profesor nxjerr një kavanoz të madh dhe e mbush atë me gurë të mëdhenj. Ai i pyet studentët nëse kavanozi është plot. Të gjithë thonë po. Më pas, ai merr disa gurë më të vegjël (rërë ose zhavorr) dhe i hedh në kavanoz. Gurët e vegjël mbushin hapësirat midis gurëve të mëdhenj. Profesori pyet sërish nëse kavanozi është plot, dhe përsëri studentët përgjigjen po. Por, ai nuk ndalet aty. Ai merr një kavanoz me rërë dhe e derdh mbi gurët e mëdhenj dhe të vegjël, duke e mbushur çdo hapësirë të mbetur. Kur ai pyet nëse kavanozi është plot, studentët qeshin dhe pranojnë se tashmë është plot.
Në këtë moment, profesori u shpjegon studentëve mësimin: gurët e mëdhenj përfaqësojnë gjërat më të rëndësishme në jetë, si familja, shëndeti, dhe përmbushja personale. Nëse nuk i vendosim gurët e mëdhenj në kavanoz në fillim, nuk do të ketë vend për ta më vonë. Gurët e vegjël janë detyrat e përditshme që ndonëse janë të rëndësishme, nuk duhet të zënë vendin e prioriteteve kryesore. Ndërsa rëra përfaqëson gjërat e vogla dhe të parëndësishme në jetë që shpesh e mbushin kohën tonë, por nuk sjellin shumë vlerë.”
Morali i kësaj historie është të përqendrohemi fillimisht te gjërat që kanë më shumë rëndësi dhe të mos lejojmë që detyrat e vogla apo shpërqendrimet ta mbushin gjithë kohën tonë, duke lënë mënjanë atë që është vërtet thelbësore.
Organizimi i kavanozit në jetën e përditshme
Ndonjëherë problemi nuk qëndron te puna që bëjmë gjithë ditën, por te mënyra si e organizojmë "kavanozin" tonë. E lodh veten pa fund, thua "nuk kam pushuar gjithë ditën," por në fund të saj, nuk ndihesh e realizuar apo e përmbushur. Pse? Sepse nuk arrin kurrë ta kalosh atë prag të përditshmërisë dhe të merresh me ato plane që ke mbajtur për vete prej kohësh.
E kam përjetuar edhe unë këtë ndjenjë për vite me radhë. E kisha një dëshirë të madhe ta shkruaja një libër, por çdo ditë përfundoja duke ndjekur perfeksionin në punët e përditshme të shtëpisë. Imagjinoja se një ditë, gjithçka do të ishte në vendin e duhur: shtëpia e rregulluar, vakte të shëndetshme të gatuara, sporti i kryer, dhe fëmijët e mi ulur në divan, të qetë, duke lexuar. Atëherë do të më mbetej kohë për të filluar më në fund librin që kisha në mendje për kaq shumë vite.
Por dita e “perfeksionit” nuk erdhi kurrë. E vërteta është se nuk do të vijë asnjëherë ajo ditë magjike kur gjithçka të jetë perfekte dhe më në fund të kem kohë për ëndrrat e mia. Duhet ta krijosh vetë atë kohë, ta nxjerrësh nga kaosi i përditshmërisë. E kuptova që s’ka nevojë të pres për kushtet ideale, sepse asgjë s’do të jetë ndonjëherë krejt ideale. Kam mësuar të pranoj që, ndonjëherë, disa gjëra do të mbeten të papërfunduara dhe shtëpia ndoshta nuk do jetë gjithmonë në rendin perfekt, por kjo s'do të thotë që ëndrrat e mia duhen lënë në pritje.
Angazhim apo produktivitet?
Ka një ndryshim të thellë mes të qenit e zënë dhe të qenit produktive. Jo çdo herë kur je plotësisht e angazhuar do të thotë se po bën diçka me vlerë. Mund ta kalosh gjithë ditën duke vrapuar nga një punë te tjetra, duke e mbushur kohën me aktivitete, por në fund të saj të mos ndjesh përmbushje. Nëse gjithë energjinë tënde e shpenzon duke e mbushur "kavanozin" me gurë të vegjël dhe rërë - gjërat e vogla të përditshmërisë - atëherë në fund të ditës do të përballesh me një lodhje të thellë shpirtërore. Kjo sepse pavarësisht mundit, gurët e mëdhenj, ato gjëra thelbësore që kanë vërtet rëndësi për ty, do të mbeten ende jashtë kavanozit, në pritje që t’u japësh vendin e duhur.
E gjithë kjo na tregon se angazhimi i pafund nuk është domosdoshmërisht produktivitet. Kur reflektojmë mbi të shkuarën, shpesh ndiejmë se mund ta kishim menaxhuar më mirë kohën dhe mund të kishim vepruar ndryshe. Megjithatë, ky reflektim nuk ka për qëllim të na krijojë pakënaqësi për jetën që kemi, por të na kujtojë se gjithmonë ekziston hapësirë për të përmirësuar cilësinë e jetës sonë familjare.
Ndryshimi i prioriteteve
Prioritete tona mund të ndryshojnë vazhdimisht prandaj është me rëndësi që t’i rishikojmë ato dhe t’i vendosim herë pas here në pozicionin që u takon. Prioritetet janë subjektive dhe ndryshojnë nga personi në person, por edhe për të njëjtën nënë mund të ndryshojnë në periudha të ndryshme të jetës.
Për shembull, për një nënë të re, prioriteti kryesor duhet të jetë kujdesi për fëmijën e saj dhe për veten. Ajo mund të përqendrohet në mësimin e gjërave që lidhen me gjidhënien, lehoninë dhe muajt e parë të jetës së fëmijës. Nga ana tjetër, një nënë me përvojë në rritjen dhe edukimin e fëmijëve mund të vendosë si prioritet të kujdeset më shumë për marrëdhënien me bashkëshortin ose për qëllime personale dhe zhvillimin e saj individual.
Vendosja e prioriteve nuk është gjithmonë e lehtë, por është një hap thelbësor për të ndërtuar një jetë më të ekuilibruar dhe të përmbushur. Ato na ndihmojnë të përqendrohemi në gjërat që kanë vërtet rëndësi dhe të shmangim shpërqendrimin nga angazhimet e kota ose të tepruara.
Një vendosje e gabuar e prioriteteve mund të sjellë më shumë probleme sesa mund ta mendojmë. Për shembull, nëse vendosim rregullin dhe pastërtinë e shtëpisë si prioritetin tonë kryesor, mund të lëmë pas dore nevojat emocionale dhe zhvillimin e fëmijëve apo marrëdhënien me partnerin. Ky lloj neglizhimi, sidomos në edukimin dhe ndjekjen e fëmijëve, mund të ketë pasoja afatgjata në formimin e tyre dhe në harmoninë familjare.
Gjithashtu, nëse po kalojmë një periudhë të vështirë dhe në vend që të fokusohemi në rigjenerimin e energjive tona përmes pushimit dhe kujdesit për veten, ne e harxhojmë energjinë në punët e shtëpisë, kjo gjendje mund të përkeqësohet. Këto ngarkesa shtesë mund të shfaqen si zemërim apo nervozizëm ndaj anëtarëve të familjes, duke krijuar tensione të panevojshme.
Prandaj, një gabim i vogël në listën e prioriteteve mund të sjellë pasoja të mëdha. Prioritetet ndryshojnë vazhdimisht sipas fazave të ndryshme të jetës dhe është e rëndësishme të jemi të qarta për to dhe për mënyrën si lëvizin në përditshmërinë tonë. Nëse ndjehemi të ngarkuara psikologjikisht dhe nuk jemi mjaftueshëm të qarta, një ide e mirë është mbajtja e shënimeve apo krijimi i një grafiku të thjeshtë për prioritetet tona. Forma vizuale e planeve ndihmon jo vetëm për t’i mbajtur më lehtë mend, por edhe për të reflektuar më qartë mbi to.
Vetëm duke i kuptuar dhe riorganizuar prioritetet tona, mund të krijojmë një ekuilibër të shëndetshëm dhe një harmoni të qëndrueshme në jetën familjare dhe personale.