Mëmësia e Kohëve Moderne
Me kalimin e kohës, duket se edhe vetë roli i nënës ka ndryshuar. Sot, të qenit nënë nuk përkufizohet vetëm nga dashuria dhe përkushtimi, por edhe nga një lloj aftësie në të gjitha fushat njëkohësisht. Një nënë e kohëve të sotme duhet të jetë si një nutricioniste që kujdeset për ushqimin e shëndetshëm, si një mjeke që bën zgjedhjet më të mira për shëndetin e fëmijës, si një edukatore që ndihmon në zhvillimin e mendjes dhe shpirtit të tij, dhe madje edhe si një ekologjiste që zgjedh produkte të sigurta e miqësore me mjedisin. Në këtë botë plot sfida e pritshmëri, mëmësia duket se është shndërruar në një art që kërkon shumë njohuri, intuitë dhe mençuri.
A nuk duket gjithçka perfekte?
Kujdesi që ne, nënat, tregojmë për aspektin material të jetës së fëmijëve tanë, është tepër interesant. Me një përkushtim të jashtëzakonshëm, bëjmë çmos për të siguruar çdo detaj që i përket mirëqenies së tyre. Falë teknologjisë dhe internetit, ne mund t’i ndajmë eksperiencat me njëra-tjetrën, të mësojmë nga përvojat e tjera dhe të përfitojmë nga burimet e pafundme që ofrojnë ekspertët e fushave të ndryshme. Çdo ditë mësojmë më shumë rreth mënyrave për t’i rritur fëmijët tanë në mënyrë sa më të shëndetshme dhe më të sigurt.
Përpiqemi që në tryezë të kemi kryesisht ushqime organike: perime të freskëta, fruta pa pesticide, qumësht bio dhe drithëra pa gluten. I zgjedhim me kujdes enët që përdorim në kuzhinë, nga tiganët deri te kutitë e ushqimit, duke eliminuar çdo material të dëmshëm si BPA, PFOA etj. Gjithashtu, bëjmë përpjekje të reduktojmë përdorimin e kremërave të dëmshëm duke zgjedhur ato me përbërës sa më natyralë, dhe kur fëmijët janë të sëmurë, mundohemi t’i shmangim sa të mundemi ilaçet farmaceutike, duke i zëvendësuar ato me alternativa bimore për t’i zvogëluar efektet anësore të mundshme.
Në dhomat e tyre, përparësi u japim lodrave prej druri natyral dhe materialeve miqësore me mjedisin, në mënyrë që çdo send që ata prekin të jetë sa më i sigurt. Gjithashtu, për rrobat e tyre bëjmë përzgjedhje të kujdesshme: preferojmë materiale natyrale me frekuencë të lartë si pambuku organik, linoja dhe leshi, duke shmangur plotësisht poliesterin ose fibrat sintetike, që mund të jenë irrituese për lëkurën delikate të fëmijëve. Për më tepër, sigurohemi që çarçafët, jastëkët dhe batanijet të jenë nga materiale hipoalergjike, të përpunuara natyralisht, për të garantuar një gjumë të rehatshëm dhe të shëndetshëm për ta.
Kur bëhet fjalë për argëtimin dhe edukimin, mundohemi të krijojmë mundësi sa më të pasura: libra edukativë, aktivitete që zhvillojnë kreativitetin, kurse që nxisin inteligjencën dhe programe argëtuese që nuk i dëmtojnë mendërisht apo emocionalisht. I shmangim pajisjet elektronike që mund të shkaktojnë varësi, duke u përqendruar te lojërat ndërtuese ose aktivitetet fizike në natyrë për t’ua zhvilluar aftësitë motorike. Po ashtu, u mësojmë fëmijëve tanë të jenë të kujdesshëm për higjienën e tyre, t’i lajnë duart rregullisht, të prekin dhe të ulen vetëm në vende të pastra.
Me gjithë këtë përkushtim shumëdimensional dhe vëmendje ndaj çdo detaji, duket sikur po krijojmë një botë të përsosur (!) për fëmijët tanë. Nuk mbaj mend që në fëmijërinë tonë të ekzistonte një ndjeshmëri kaq e lartë ndaj këtyre aspekteve; madje, shumë nga njohuritë dhe informacionet që sot çdo nënë i ka në dorë, atëherë nuk i zotëronin as ekspertët e fushave përkatëse. Tani, falë burimeve të pafundme dhe qasjes së lehtë ndaj informacionit, çdo ditë përpiqemi të përmirësojmë çdo element që prek jetën e tyre, duke synuar të sigurojmë një mjedis sa më të sigurt, të shëndetshëm dhe mbështetës.
Por a janë të gjitha këto të mjaftueshme?
Edhe sikur t’u siguronim fëmijëve tanë një banesë super të rehatshme dhe të sigurt, ushqimin më të shëndetshëm në botë, një program të pasur për zhvillimin e inteligjencës dhe aftësive të tyre, edhe sikur ata të vishnin rrobat më të sigurta me frekuencat më të larta, a është kjo tabloja e plotë e mirëqënies dhe sigurisë së tyre? A mjaftojnë të gjitha këto për të garantuar që ai fëmijë të mos preket nga asnjë sëmundje, të mos bëhet viktimë e ndonjë incidenti të papritur apo aksidenti? A mund të sigurojmë vetëm me këto përpjekje që ai të bëhet një njeri zemërmirë, me parime të forta, kufij të qartë dhe moral të lartë? A është kjo e mjaftueshme për t’i mbrojtur ata nga bukuritë magjepsëse, por shpesh të rrezikshme dhe mëkatare të kësaj bote, që jo vetëm mund të kërcënojnë jetën e tyre në këtë botë, por edhe t’u rrezikojnë shpirtin dhe shpëtimin në jetën e përtejme?
Shembujt e jetës na tregojnë të kundërtën. Kemi parë plot fëmijë që janë rritur me gjithë kujdesin material që një prind mund të ofrojë - komoditete pa fund, përkujdesje të detajuar dhe mundësi të panumërta - por që megjithatë kanë hasur në vështirësi, sprova dhe humbje që këto përkujdesje nuk mundën t’i parandalojnë. Këto shembuj na tregojnë qartë një të vërtetë të pamohueshme: jeta e një fëmije nuk përbëhet vetëm nga faktorët materialë.
Sot, ndoshta nga preokupimi i tepërt me anën materiale të jetës, ne, nënat, shpesh harrojmë të bëjmë diçka aq bazike dhe jetësore për më të dashurit tanë, veçanërisht për fëmijët. Harrojmë, ose ndoshta thjesht nuk “gjejmë kohë” të lutemi për ta, të kërkojmë ndihmën dhe mbrojtjen e Zotit - jo vetëm për të tashmen e tyre, por edhe për të ardhmen e largët.
Rëndësia e lutjes për fëmijët
Asnjë komoditet material nuk mund ta zëvendësojë nevojën për ndihmën hyjnore, asnjë siguri fizike nuk mund ta garantojë mbrojtjen nga “surprizat” e padukshme, dhe asnjë përpjekje njerëzore nuk mund të arrijë sukses të plotë pa ndihmën dhe bekimin e Allahut. Kujdesi material, sado i rëndësishëm, është vetëm një pjesë e një tabloje më të madhe, që kërkon gjithashtu përkushtim shpirtëror, edukim moral dhe udhëzim drejt së mirës.
Prandaj, në jetën tonë të përditshme, na nevojitet një ekuilibër i përkryer midis kujdesit material dhe atij shpirtëror. Ashtu sic kujdesemi me përkushtim për shëndetin fizik të fëmijëve tanë, po aq duhet të kujdesemi për ta edhe nëpërmjet lutjeve të sinqerta dhe kërkimit të ndihmës hyjnore. Lutja e një prindi është e pakrahasueshme, sepse buron nga një dashuri e pastër dhe një qëllim i sinqertë, duke mbartur një fuqi të jashtëzakonshme që depërton në kufijtë e të dukshmes dhe të padukshmes. Ajo është mburoja që i mbron fëmijët tanë në çdo moment - qoftë kur jemi pranë tyre, qoftë kur nuk mund të jemi.
Ka raste kur ndodhemi në mes të zgjidhjeve të ndryshme dhe na duhet të marrim vendimin e duhur, sepse një pikënisje e drejtë mund të ndikojë në rrjedhën e gjithë jetës së fëmijëve tanë. Pikërisht në këto momente, lutja bëhet udhërrëfyesi ynë më i mirë, duke kërkuar nga Allahu të hapë dyert që janë më të hajrit për ta dhe t’i orientojë drejt rrugëve ku ata mund të arrijnë potencialin e tyre më të lartë - të bëhen njerëz të mirë, të drejtë dhe të suksesshëm. Lutja është mbrojtja e tyre nga e keqja që ne e dimë dhe ajo që nuk e dimë, nga rreziqet që i shohim dhe ato që nuk mund t’i parashikojmë.
Kujdesi i prindit, sado i madh, arrin deri në një kufi, sepse edhe prindi më i përkushtuar nuk mund ta parandalojë një të keqe të papritur. Këtu qëndron madhështia e lutjes: ajo është pjesa që plotëson të pamundurën për ne. Lutja ka dy shtylla kryesore - së pari, veprimi, përpjekja jonë maksimale për t’u siguruar fëmijëve një jetë të sigurt dhe të mbrojtur, dhe së dyti, lutja me fjalë, lutja e sinqertë, kërkesa që i drejtojmë Allahut për ndihmën e Tij hyjnore. Vetëm kur të dyja këto pjesë janë të ndërthurura, mund ta themi me bindje se e kemi përmbushur misionin tonë unik si prindër.
Ka shumë gjëra për të cilat mund të lutemi për fëmijët tanë. Mund të kërkojmë që Allahu të na lehtësojë prindërimin, të na japë durim dhe urtësi për të marrë vendimet e duhura, dhe të na frymëzojë për të qenë shembuj të mirë. Lutemi që Ai t’i mbrojë ata nga çdo rrezik, t’i udhëzojë drejt së mirës dhe t’u japë shëndet, dituri dhe një zemër të lidhur me Të. Gjithashtu, kërkojmë që Allahu të na ndihmojë në çdo hap, duke na treguar rrugët më të mira për mirëqenien e tyre, në këtë botë dhe në tjetrën. Fundja, çdo lutje është një dorëzim ndaj Tij dhe një shprehje e dashurisë sonë të pakushtëzuar për ta.
Duatë ditore, që mund të bëhen pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë, janë një temë më vete, e cila meriton trajtim të veçantë. Ato jo vetëm që na ndihmojnë të mbajmë një lidhje të vazhdueshme me Krijuesin, por gjithashtu shërbejnë si një kujtesë e përhershme për mirënjohjen, mbrojtjen dhe udhëzimin hyjnor në çdo hap të jetës sonë. Në disa shkrime të tjera, do të ndalemi më gjatë për t’i trajtuar këto lutje të përditshme dhe rëndësinë e tyre në jetën tonë.