Një Ramazan me Agjërim, por pa Kur'an?
Kur vjen Ramazani, mendja na shkon menjëherë te agjërimi, syfyret, iftaret, teravitë dhe atmosfera festive karakteristike e muajit Ramazan. Një muaj i bekuar, në të cilin ne privohemi nga e ngrëna dhe e pira, mësojmë të vetëpërmbahemi dhe ta pastrojmë trupin nga sëmundjet, rutinën e përditshme nga veset e panevojshme dhe, më e rëndësishmja, botën tonë shpirtërore nga hutimet e kësaj bote.
- Por, për kë është agjërimi?
Allahu i Lartësuar thotë:
"O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm!" (Bekare, 2:183)
Sipas këtij vargu, agjërimi është një urdhër hyjnor për ata që kanë besuar, që do të thotë se edhe shpërblimet janë të rezervuara për ata që me të vërtetë besojnë. Por, a ka vlerë besimi pa vepra?
Në shumë ajete Kur’anore, Allahu u drejtohet besimtarëve duke thënë: "Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira..." Kjo renditje nuk është rastësore. Besimi është hapi i parë, por ai duhet të pasohet nga veprimi për t’i merituar shpërblimet e Allahut. Ja disa nga ajetet në fjalë:
“Për të gjithë do të ketë shkallë të caktuara, sipas asaj që kanë punuar, në mënyrë që Allahu t’i shpërblejë për veprat e tyre. Askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (Ahkaf, 19)
S'ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, vendpritje për ta janë xhennetet e Firdevsit. (Kehf, 107)
Sa për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që Ne nuk do t’ua humbim shpërblimin punëmirëve. (Kehf, 30)
Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, përgëzoji me kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj... (Bekare, 25)
Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri. (Merjem, 96)
Cilindo mashkull apo femër që bën vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë. (Nahl, 97)
Ne, njerëzit, e pëlqejmë të lexojmë për premtimet e Allahut në Kur’an, për përshkrimet e Xhenetit dhe për shpërblimet hyjnore. Por çuditërisht, shpesh harrojmë se për këto shpërblime duhet të bëjmë edhe përpjekje. Shpërblimet janë për ata që besojnë dhe veprojnë njëkohësisht.
Vargu rreth agjërimit vazhdon si më poshtë:
“Pra, kushdo nga ju që e përjeton këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që ta plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë..” (Bekare, 2:185)
Dhe fill pas këtij ajeti vjen dhe ajeti që të gjithë ne besimtarët e dimë aq mirë dhe e duam aq shumë:
“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (Bekare, 186)
Allahu nuk e ka thënë rastësisht “Unë jam afër” menjëherë pasi na e ka urdhëruar agjërimin. Të gjithë dëshirojmë që lutjet tona të pranohen, dëshirat të na realizohen dhe ëndrrat të na bëhen realitet. Por shpesh kërkojmë, pa i bërë ato që na kërkohen. Harrojmë se disa gjëra duhen merituar, se sa më shumë i bindemi Allahut, aq më shumë e hapim zemrën për mirësitë e Tij.
Allahu i Lartësuar gjithashtu thotë:
“Ashtu siç dërguam nga mesi juaj një Profet (të dërguar) që tjua lexojë ajetet Tona, t'ju pastrojë, e t'jua mësojë librin (Kur’anin) dhe Urtësinë (Rregullat e Fesë), e edhe t'jua mësojë atë që nuk e dinit. Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), që Unë tju kujtoj juve (me shpërblim). Më falënderoni e mos Më mohoni.” (Bekare, 151-152)
Dhe kështu, agjërimi është një formë adhurimi që na ndihmon të afrohemi më shumë me Allahun. Agjërimi është një shkollë durimi dhe devotshmërie. Një besimtar që agjëron, e pastron trupin dhe shpirtin dhe bëhet më i denjë për më shumë...
Por, a është ky thelbi i Ramazanit? A mjafton vetëm të privohemi nga disa gjëra për të përfituar plotësisht nga ky muaj i shenjtë?