Një Udhëtim Ndryshimi: Nga Librat te Lodrat

Kalimi nga jeta e një studenteje të përkushtuar totalisht ndaj studimeve dhe kërkimeve akademike, në atë të një nëne me fëmijë, ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për mua  - sfiduese dhe transformuese njëkohësisht. Dy stile jetese që, në dukje, shumë të ndryshme: njëra kërkonte përqendrim, qetësi dhe kthjelltësi, dhe tjetra përfshinte energji të pafund, rrëmuja dhe durim e përkushtim pa kushte.

Fillimisht, ndihesha sikur duhej të zgjidhja njërën mbi tjetrën - të hiqja dorë nga studimet dhe bota e mendimit, ose ta mënjanoja ëndrrën për t’u bërë një nënë e pranishme dhe e përkushtuar. Por me kalimin e kohës, kuptova se kjo zgjedhje e thjeshtëzuar nuk ishte e domosdoshme. Ose më saktë nuk e kisha një luks të tillë, pasi tashmë të dyja ishin të rëndësishme për mua. Nuk mund të isha një nënë e lumtur duke i mbajtur ëndrrat në sirtar, por edhe nuk mund ta neglizhoja fëmijën tim për karrierë. Ishte një dilemë që nuk duhej të ekzistonte. Pas shumë përpjekjesh, gabimesh dhe mësimeve të nxjerra nga jeta, arrita në një të vërtetë të rëndësishme: një grua - një nënë - nuk ka pse të zgjedhë mes dy ekstremeve. Përkundrazi, ajo mund t’i ndërthurë dy stile të ndryshme jetese në një harmoni të vetme, duke i shijuar të dyja me të gjitha bukuritë e tyre.

Sot, jeta ime është një mozaik ku bota akademike dhe përkushtimi ndaj fëmijëve nuk qëndrojnë si kundërshtare, por si aleate që plotësojnë njëra-tjetrën. Në çdo ditë të zakonshme, mes librave dhe lodrave, mes shkrimit dhe përqafimeve të ngrohta, mes leksioneve online dhe zërave të fëmijëve, kam gjetur një ekuilibër që më jep jo vetëm kuptim, por edhe gëzim të thellë. Sepse, në fund të fundit, gruaja ka një forcë interesante për ta krijuar atë balancë në kaos dhe për t’i transformuar ato sfida në mundësi. 

Ky udhëtim më ka mësuar se jeta nuk është gjithmonë një zgjedhje mes dy rrugëve, por më tepër një art krijimi - një proces i integrimit dhe harmonizimit të elementeve të ndryshme të vetes. Ne bashkojmë pjesë që duken të papajtueshme, për të ndërtuar diçka të re, të bukur dhe unike - një jetë që i reflekton pasionet, objektivat dhe ëndrrat tona.