Për Nënat e Lodhura: “Çdo gjë kalon!”
Mama e dashur, e di që netët pa gjumë të duken të pafundme. Ora lëviz, minutat kalojnë, por qetësia nuk vjen. Në errësirën e natës, me një fëmijë në krahë, ti pret agimin me shpresën se stresi yt më në fund do të kalojë. Trupi yt është i rënduar nga lodhja, mendja jote endet mes mendimeve të pafundme, por zemra jote mbetet e palëkundur, e mbushur me dashuri dhe dhembshuri.
Me atë trurin e lodhur i mendojmë të gjitha skenaret, por nga ngarkesa e tepërt harrojmë detajin më të rëndësishëm: Në fakt, çdo gjë kalon, çdo gjë është kalimtare!
Kur flasim me nëna me më shumë eksperiencë se ne, gjithmonë dëgjojmë të njëjtën këshillë: "Koha kalon shpejt, fëmijët rriten shpejt. Shijoji këto ditë!" Por për ne, sidomos ditët kur fëmijët janë sëmurë na duken aq të gjata, sikur nuk do të mbarojnë kurrë. Na duket sikur ata do të jenë gjithmonë të vegjël dhe nevojtarë për prezencën tonë të vazhdueshme, na duket sikur ne do na kalojë jeta me këtë rutinë të bezdisshme e aspak frytdhënëse. Dhe për më tepër, si nuk mjaftojnë të tjerat, ndihemi edhe në faj që nuk jemi në energjinë e duhur aq sa për tu dhuruar atyre maksimumin tonë.
Por, Allahu i Madhërishëm thotë në Kuran: "Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi." (94:6) Ky është një premtim hyjnor. Asgjë nuk zgjat përgjithmonë, as pagjumësia, as netët me temperaturë, as qetësimi i një fëmije që qan pa pushim. Një ditë, kjo lodhje do të jetë vetëm një kujtim, dhe ti do ta kujtosh me mall çdo përqafim në errësirë, çdo pëshpëritje qetësuese, çdo moment kur zemra jote dhe e fëmijës tënd rrihnin në të njëjtin ritëm.
Dita do të vijë kur shtëpia nuk do të kumbojë më nga të qarat e natës, kur hapat e vegjël do të jenë zëvendësuar me hapa më të sigurt dhe të pavarur. Do të vijë një ditë kur fëmijët nuk do t’i kërkojnë më krahët e tu për të gjetur ngrohtësi, nuk do të vijnë me lodrat e tyre duke të kërkuar vëmendje në mes të punëve të tua. Dhe atëherë, kur do të kesh kohë për veten, kur do të kesh qetësi në mbrëmje dhe do të flesh pa shqetësime, do ta kujtosh këtë periudhë me një ndjenjë të ëmbël mallëngjimi. E atëherë me siguri do jesh duke shijuar mundin e viteve të tëra për të rritur fëmijë të mbarë, njerëz të mirë.
"Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe, kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ti kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!” (46:15)
Një ditë, edhe fëmijët e tu do të bëhen prindër dhe do ta kuptojnë sa shumë je munduar për ta. Atëherë, do t’i shohësh frytet e lodhjes tënde në buzëqeshjet e tyre, në sukseset e tyre, dhe në lutjet e tyre për ty.
Nganjëherë, e përditshmja mund të na duket e rëndomtë, monotone. Po, ka lodhje. Po, ka netë të gjata. Po, ka ditë kur mendon se e ke harruar veten tënde. Por sa e çmuar është kjo jetë? Sa shumë nënave iu mungon mundësia që t’i mbajnë fëmijët e tyre në krahë? Sa shumë njerëz luten për një familje, për një shtëpi të mbushur me zëra fëmijësh? Dhe janë pikërisht këto kohë kur ne kujtohemi për mirësitë që kemi. Allahu thotë: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju i mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë” (14:7)
Kështu që, edhe kur lodhja të pushton dhe ta errëson ditën, edhe kur të duket sikur nuk ke më fuqi, mbaje mend: kjo është një periudhë që nuk do të zgjasë përgjithmonë. Dhe kur të kalojë, do të jesh mirënjohëse që e përjetove.
Dhe sa herë të ndihesh e lodhur dhe e mbingarkuar, kujto se nuk je vetëm. Allahu është gjithmonë me ty. Lutu, kërko ndihmë dhe mbështetu te Ai, sepse Ai është Krijuesi i forcës, i mëshirës dhe i durimit. "Kërkojeni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit." (2:45) Dhe një tjetër zë jehon nga Kurani famëlartë: "Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë." (3:139)
Kurani është një burim shprese dhe fuqie. Çdo fjalë e tij të kujton se ti nuk je vetëm, se çdo sakrificë ka vlerë, se çdo përkushtim do të shpërblehet.
E di që shumë herë të duket sikur askush nuk e sheh lodhjen tënde. Me cfarë mund të krahasohet një natë pa gjumë? Si mund të shpjegohet pesha e pafundme e përgjegjësisë që ndjen çdo ditë? Po frika se mos i ndodh dicka nga pakujdesia jote? Por Allahu e di. Ai e njeh çdo lot që rrëshqet në heshtje, çdo psherëtimë të fshehur, çdo moment kur je ndjerë e pafuqishme. Dhe Allahu vazhdon e na premton:
"Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon. Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej mekatet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti Ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!” (2:286)
Allahu e di se ti je e brishtë fizikisht, por e fortë në shpirt. Ai e di se mund ta përballosh këtë sprovë dhe se brenda kësaj lodhjeje fshihet ajo forca që vetëm një nënë mund ta mbajë.
Një Ditë Do ta Kujtosh me Mall këtë Kohë
Kur koha të ketë kaluar dhe fëmijët të kenë fluturuar drejt ëndrrave të tyre, ti do të ulesh dhe do t’i kujtosh me mall netët pa gjumë, duart e vogla që të kapnin për dore, sytë që të kërkonin kudo për tu ndjerë në siguri. Atëherë do ta kuptosh se çdo natë pa gjumë, çdo përqafim mes lotëve, çdo minutë që ke dhuruar me dashuri ka qenë një pjesë e vogël e një mozaiku të madh… të një historie të bukur të quajtur “nënë”. ❤️