Pse Muslimanët e Parë janë Lejuar të Pinë Alkool për 16 Vite në Prezencën e Profetit Muhammed (savs)?

Fakti që Kurani u shpall gradualisht gjatë 23 viteve dhe se ligjet dhe rregullat që solli kishin një rrjedhë logjike në përputhje me natyrën njerëzore, tregon qartë se Islami mbështetet në parimin e lehtësimit dhe të lehtësisë. Kjo shihet qartë edhe në mënyrën se si ndalimi i alkoolit u vendos hap pas hapi, duke i dhënë njerëzve kohën dhe mundësinë për t’u përshtatur me këtë urdhër hyjnor.

Muslimanët e parë lejoheshin të pinin alkool sepse në fillimet e Islamit, ndalimi i tij nuk ishte shpallur ende. Në atë kohë, pirja e alkoolit ishte një praktikë e zakonshme dhe e rrënjosur në kulturën arabe paraislame. Shumë njerëz ishin mësuar me konsumin e tij, dhe ndryshimi i papritur mund të ishte i vështirë për t'u pranuar.

Kur Islami filloi t’i udhëzonte njerëzit drejt një jete më të pastër dhe më të disiplinuar, urdhri për ndalimin e alkoolit u bë gradualisht. Kjo qasje graduale ishte një shfaqje e urtësisë hyjnore për të siguruar që njerëzit të ishin të gatshëm për ta pranuar ndalimin me vetëdije të plotë. 

Gjatë 23 viteve të shpalljes hyjnore, muslimanët kaluan 13 vite në Mekë dhe 10 vite në Medinë. Gjatë periudhës së qëndrimit në Mekë, shpalljet hyjnore u përqendruan kryesisht te çështjet e besimit dhe forcimit të tij. Gjatë kësaj kohe nuk pati ndalesa për alkoolin, dhe muslimanët vazhdonin ta konsumonin atë. Kur Profeti i Nderuar Muhammed (savs) mbërriti në Medinë, disa muslimanë ende konsumonin alkool dhe luanin bixhoz. Ata e pyetën Profetin për gjykimin rreth alkoolit dhe bixhozit. Në atë kohë, Omeri tha: "O Zoti im! Na jep një deklaratë të qartë dhe të prerë për alkoolin!” Pas një kohe, zbriti ajeti i mëposhtëm:

  1. Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: "Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre". (Bekare, 219)

Pas këtij ajeti, ngaqë në fokus ishin thjesht dobitë dhe dëmet e konsumimit të tij, disa muslimanë e lanë alkoolin për shkak të dëmeve, ndërsa disa të tjerë e patën më të vështirë ta linin dhe vazhduan ta konsumonin pavarësisht se ishin në dijeni për pasojat. Gjatë kësaj kohe, ndodhën disa situata të pakëndshme. Një nga sahabët, duke udhëhequr namazin e mbrëmjes, gaboi rëndë në leximin e Kuranit për shkak të dehjes duke ndryshuar kuptimin e vargjeve Kuranore që po këndonte. Përsëri, Omeri bëri këtë lutje: "O Zoti im, na jep një deklaratë të qartë dhe të prerë për alkoolin!" Pas kësaj, zbriti ajeti:

  1. “O ju që besuat, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se çfarë flisni…” (Nisa, 43)

Ky ajet përbënte fazën e dytë të ndalimit. Muslimanët filluan të thonin: "O i Dërguari i Allahut, ne nuk do të konsumojmë alkool afër kohës së namazit." Profeti heshti dhe nuk dha përgjigje. Në fakt heshtja e Tij tregonte shumë, por më e mira ishte që ata të bindeshin vetë për të hequr dorë. Kur vinte koha e namazit, me urdhrin e Profetit, bëhej thirrja: "Asnjë i dehur të mos i afrohet faljes së namazit." Por ende kishte raste kur disa muslimanë konsumonin alkool dhe pastaj shkonin në namaz pa u kaluar plotësisht efekti i dehjes. Përsëri, Omeri e bëri lutjen për të tretën herë: "O Zoti im, na jep një deklaratë të qartë dhe të prerë për alkoolin!" Pas kësaj, zbriti ajeti:

  1. “O ju që keni besuar! Vera, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë ndyrësira nga veprat e djallit. Largohuni prej tyre që të shpëtoni. Me të vërtetë, djalli dëshiron të mbjellë mes jush armiqësi dhe urrejtje përmes verës dhe bixhozit, si dhe t’ju largojë nga përmendja e Allahut dhe nga namazi. A nuk do të ndaloni?” (Maide, 90-91)

Pas këtij ajeti, muslimanët thanë: "Ne tashmë kemi hequr dorë nga alkooli dhe bixhozi, o Zoti ynë." Kjo ishte faza e tretë dhe e fundit e ndalimit të alkoolit, ku ai u shpall plotësisht haram (i ndaluar) për të gjithë muslimanët.

Pas shpalljes së këtyre ajeteve, Profeti Muhammed (savs) urdhëroi të bëhej thirrje nëpër rrugët e Medinës: "Kijeni parasysh se alkooli është ndaluar!" Muslimanët, kur e dëgjuan këtë, derdhën të gjithë alkoolin që kishin në shtëpitë e tyre. Lëngjet e alkoolit rrodhën nëpër rrugët e Medinës si lumë. Dhe kështu alkooli u ndalua në vitin e katërt të Migrimit në Medine. 

Pse nuk u ndalua njëherësh por u lejuan të falin namaz të dehur?

Tre fazat:

  1. Paralajmërimi për dëmet dhe mëkatet e alkoolit
  2. Kufizimi i konsumit vetëm para kohës së namazit 
  3. Ndalimi i plotë

Alkooli nuk u ndalua menjëherë në Islam për disa arsye të rëndësishme që lidhen me urtësinë hyjnore dhe natyrën graduale të shpalljes së mesazhit Islam:

1. Përshtatja me realitetin kulturor dhe shoqëror

Në shoqërinë arabe paraislame, alkooli ishte një pjesë e rrënjosur e jetës së përditshme dhe kulturës së tyre. Njerëzit ishin mësuar ta konsumonin në festime, tregti dhe shoqërime. Një ndalim i menjëhershëm mund t’u vinte rëndë atyre dhe kjo nuk përputhet me natyrën tolerante te fesë islame. 

2. Ndryshimi i sjelljes kërkon kohë

Njerëzit kanë nevojë për kohë për t’i braktisur zakonet dhe praktikat e zakonshme, veçanërisht ato që janë bërë pjesë e jetës së tyre. Shpallja graduale u lejoi muslimanëve të reflektonin mbi dëmet e alkoolit dhe të bëheshin gati emocionalisht dhe shpirtërisht për ndalimin e plotë dhe këtë ndryshim ata ta pranonin me vetëdije dhe me dëshirën e tyre. 

3. Qasja edukative dhe morale

Shpallja graduale ndihmoi në edukimin moral dhe shpirtëror të muslimanëve. Fillimisht, ata u paralajmëruan për dëmet e alkoolit dhe pasojat e tij sociale, shëndetësore dhe shpirtërore. Pastaj, alkooli u kufizua në situata të caktuara (si para namazit), derisa ata u përgatitën për ta lënë atë plotësisht.

4. Forcimi i besimit dhe lidhjes me Allahun

Në fillimet e Islamit, theksi kryesor ishte vendosur në forcimin e besimit dhe ndërtimin e një marrëdhënieje të fortë me Allahun. Kur muslimanët u bënë më të qëndrueshëm në fenë e tyre dhe kuptuan dëmet e alkoolit, ata ishin më të gatshëm ta pranonin ndalimin pa hezitim.

5. Shmangia e reagimeve ekstreme

Një ndalim i menjëhershëm mund të kishte çuar në mosbindje, ndarje sociale ose kundërshtime të ashpra, veçanërisht në një shoqëri ku alkooli ishte kaq i përhapur. Procesi gradual siguroi një kalim të butë dhe një pranim të natyrshëm të ndalimit.

Cfarë mësimi nxjerrim nga kjo ngjarje?

Ndalimi i alkoolit në Islam pasqyron urtësinë hyjnore të shpalljes graduale, duke marrë parasysh realitetin njerëzor dhe shoqëror. Allahu na ka krijuar dhe Ai e di më së miri se cfarë i përshtatet natyrës njerëzore. Kjo qasje edukative ishte jashtëzakonisht efektive, pasi u lejoi muslimanëve të përgatiteshin shpirtërisht, emocionalisht dhe praktikisht për të hequr dorë nga alkooli. Dhe në fakt, të gjitha adhurimet dhe cdo gjë që këshillohet nga Islami, pavarësisht se sa të aftë jemi ne t’i perceptojmë urtësitë hyjnore që qëndrojnë pas cdo urdhërese apo ndalimi, janë projektuar vetëm dhe vetëm për të mirën e njeriut. Krijuesi e di shumë mirë se si funksionon "produkti i Tij”, pra njeriu, dhe për këtë arsye na ka pajisur me udhëzimet e duhura. 

Para Hixhretit (Migrimit nga Mekka në Medine), shpalljet hyjnore u përqendruan kryesisht në çështje të besimit duke ndihmuar në ndërtimin e një themeli të fortë shpirtëror. Pas Hixhretit, filluan të shpalleshin më shumë ajete që i trajtonin praktikat dhe rregullat, duke i përfshirë edhe urdhëresat dhe ndalesat. Këto nuk u shpallën menjëherë, por herë pas here, në momentet kur ishte e nevojshme, duke përcaktuar gradualisht rregullat dhe ligjet e jetës islame.

Obligimet fetare kryesore u vendosën gjithashtu në periudhën e Medines:

  • Namazi u bë obligim afërsisht 1.5 vite para Hixhretit në Medinë, (rreth vitit 11-12 të shpalljes)
  • Agjërimi u bë farz në vitin e dytë pas Hixhretit (rreth vitit 15 të shpalljes)
  • Alkooli u ndalua plotësisht në vitin e katërt pas Hixhretit (rreth vitit 16-17 të shpalljes)
  • Mbulesa u urdhërua në vitin e pestë pas Hixhretit (rreth vitit 18 të shpalljes)
  • Haxhi u bë obligim në vitin e gjashtë pas Hixhretit (rreth vitit 19 të shpalljes)

Kjo mënyrë na tregon se natyra njerëzore kërkon kohë për të hequr zakonet e këqija dhe për të ndërtuar të reja. Ndryshimet e qëndrueshme ndodhin hap pas hapi, duke filluar me kuptim dhe bindje për rëndësinë e tyre, për të kaluar më pas në veprim me vendosmëri dhe përkushtim.

Thirrja në Islam filloi me theks te besimi, duke ndërtuar një themel të fortë shpirtëror dhe moral, ndërsa ndalesat dhe rregullat praktike u zbatuan kryesisht në periudhën e Medines. Kjo tregon rëndësinë e përgatitjes shpirtërore para se të kalojmë te praktikimi. 

Prandaj, nisur nga ky kontekst mund të themi se nuk është e këshillueshme që për shembull, t'i kërkohet një vajze që sapo ka pranuar Islamin ta vendosë menjëherë shaminë apo një muslimani që sapo ka hyrë në Islam të heqë dorë menjëherë nga alkooli apo duhani. Islami i njeh njerëzit me natyrën graduale të ndryshimit dhe e kupton se secili individ ka ritmin e tij të rritjes dhe përmirësimit shpirtëror.

Çdo adhurim në Islam ka sevapin e tij, dhe çdo shmangie e ndalesave sjell gjithashtu sevapin e vet. Një vajzë besimtare mund të falet edhe nëse nuk është e mbuluar, ashtu si një musliman mund të falet, të agjërojë dhe të shkojë në Haxh edhe nëse është një person që konsumon duhan. Sigurisht, më e mira është lënia e duhanit, alkoolit dhe për vajzën muslimane, mbulimi pas njohjes dhe kuptimit të thellë të Islamit. Por kjo nuk do të thotë që njerëzit duhet të ndahen në kategori apo të gjykohen për shkak të moszbatimit të një obligimi të caktuar.

Muslimanë janë të gjithë ata që besojnë se ekziston vetëm një Zot (Allahu) dhe se Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) është i Dërguari i Tij. Pas kësaj, çdo vepër e mirë do të shpërblehet si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër, dhe çdo veprim haram do të ketë pasojat e tij sepse cdo individ është përgjegjës për veprimet që bën. 

  • “Kush bën ndonjë të mirë sa pesha e një thërrmije, do ta shohë atë. Dhe kush bën ndonjë të keqe sa pesha e një thërrmije, do ta shohë atë.” (Sure Zelzele, 99:7-8) 
  • “Dhe se njeriut nuk i takon tjetër, përveç asaj që ka punuar. Dhe se mundi i tij, më vonë do të shihet.” (Sure Nexhm, 53:39-40)

Mesazhi: Gjërat e mira kërkojnë kohë, dhe vetëm duke qenë të qëndrueshëm mund të arrijmë sukses në këtë jetë.