Ramazani i Nënave: Midis Adhurimit dhe Përgjegjësive
Kur vjen Ramazani, çdo besimtar ndjen dëshirën për të dhënë maksimumin, për t’i realizuar veprat e mira që nuk ka mundur më parë dhe për ta shndërruar këtë muaj në një udhëtim të thellë reflektimi e përmirësimi. Është koha e rifreskimit shpirtëror, e mbushjes me energjinë që do të na shoqërojë deri në Ramazanin e ardhshëm.
Por, mes gjithë këtyre aspiratave, sfida bëhet më e madhe për nënat me fëmijë të vegjël. Shpesh, mes lodhjes së përditshme, ndodh qe ankohemi e themi pa qëllim të keq: “Sikur të mos më mjaftonte lodhja gjatë gjithë vitit, të paktën Ramazanin ta shijoja!” Sepse e ndiejmë shume nevojën për pak qetësi, për një moment reflektimi larg zhurmës së përditshme.
Por në fakt, nuk janë agjërimi, iftari apo punët e shtëpisë që na rëndojnë. Ajo që na mundon është ndjenja se, mes fëmijëve dhe rutinës së pafundme, nuk po arrijmë të fokusohemi te ana shpirtërore ashtu siç do të donim të bënim.
Lodhja fizike po na pengon ta përjetojmë lidhjen shpirtërore
Nuk po falemi aq gjatë sa zemra të qetësohet, nuk po e lexojmë Kur’anin me thellësi dhe fokus të plotë, nuk po gjejmë kohë për dhikër derisa shpirti të mbushet me qetësi dhe mirënjohje. Kjo mungesë krijon një boshllëk brenda nesh, një mall për tu afruar me Allahun, por që shpesh na duket sikur spo e arrijmë dot. Sepse mendojmë se veprat që vlejnë në Ramazan janë vetëm: agjërimi, adhurimi, leximi i Kur’anit, lutjet, përmendja e Allahut, etj.
Ama, teksa përqendrohemi tek ajo që s’po arrijmë ta bëjmë, shpesh harrojmë diçka më të rëndësishme: Allahu e di këtë. Ai e sheh përpjekjen tonë, e di që nuk mund të falemi gjatë gjithë natës, që nuk kemi orë të tëra për të qëndruar me Kur’anin hapur, që nuk po e përjetojmë këtë muaj si dikur kur nuk kishim kaq përgjegjësi mbi supe.
Kush bëhet shkak për diçka, shpërblehet njësoj sikur ta kishte kryer vetë atë vepër, qoftë e mirë apo e keqe.
Por gjithashtu, Ai e di se nëna që gatuan me dashuri për familjen e saj po kryen një vepër të madhe. Se ajo që i vë fëmijët në gjumë duke i kënduar Kur’an dhe dua, po fiton shpërblim. Se ajo që buzëqesh edhe kur lodhja e mundon, që përmbahet nga zemërimi në rrëmujën e shtëpisë, që kujdeset për të tjerët edhe kur vetë ka nevojë për kujdes, nuk mbetet pa shpërblim.
Kur gjithçka bëhet dhe durohet vetëm për hir të Allahut, për të sjellë paqe dhe ngrohtësi në shtëpi, për ta zbukuruar atmosferën familjare në këtë muaj të bekuar, çdo veprim merr një dimension shpirtëror të lartë. Një gatim më shumë ose më ndryshe se zakonisht, një rutinë e re që e dallon nga muajt e tjerë, një sjellje e butë apo një gjest i vogël me dashuri, janë këto detajet që e bëjnë atmosferën e Ramazanit të ndihet më thellë në familje, të bëhet më e dukshme mirësia e madhe e këtij muaji të përzgjedhur nga Allahu.
Prandaj, një nënë që, përveç adhurimeve që mund të bëjë, krijon një atmosferë paqësore për familjen dhe përmes punëve të saj të përditshme i ndihmon ata ta kalojnë Ramazanin me më shumë vepra të mira dhe devotshmëri, ajo i ka përmbushur detyrat e saj më të rëndësishme.
Kur’an: Thuaj: "Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve." (6:162)
Gjithçka varet nga këndvështrimi!
Nuk duhet të presim që fëmijët të rriten për të përjetuar një Ramazan shpirtëror. Ndoshta është më mirë të mësojmë ta shohim bukurinë e këtij muaji përmes realitetit tonë. Ndoshta, është thjesht këndvështrimi ynë ndaj pozicionit që ne kemi në shtëpi, detaji që do ta bëjë diferencën. Nëse cdo gjë që bëjmë e mendojmë si një pengesë për adhurimet dhe si gjëra krejtësisht të panevojshme, atëherë muajin do ta kalojmë me ankesa dhe plot pengje. Por nëse detyrat tona i kryejmë me vetëdije dhe duke ua ditur rëndësinë për të gjithë familjen, atëhere cdo vepër sado e vogël të jetë, do të fitojë një kuptim krejtësisht tjetër. Sepse për aq kohë sa përpiqemi dhe ky është maksimumi ynë, Allahu na sheh dhe na shpërblen, jo për orët e shumta në adhurim, por për sinqeritetin dhe dashurinë me të cilën e jetojmë këtë muaj të bekuar.
Kur’an:
- “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë” (99:7)
- Thuaj: “O robër besimtarë (të Allahut), frikësojuni Zotit tuaj! Ata që bëjnë mirë në këtë jetë, do të kenë të mira. Toka e Allahut është e gjerë. Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë” (39, 10)