Sipas Islamit, çfarë e shumëfishon ose e bën të pavlefshme një vepër?

Islami është një fe që e vlerëson pastërtinë në mënyrë të jashtëzakonshme. Pastërtia e njeriut, në çdo aspekt të jetës, është thelbësore. Ajo fillon me pastërtinë e vendit ku jetojmë, vazhdon me pastërtinë e rrobave që veshim, trupit që kujdesemi ta mbajmë të pastër dhe ushqimeve që konsumojmë. Por mbi të gjitha, më e rëndësishmja është pastërtia e zemrës, sepse një zemër e pastër pasqyron një shpirt të qetë dhe një besim të fortë.

“Në trupin e njeriut ka një copë mishi. Nëse ajo është e shëndetshme, i gjithë trupi është i shëndetshëm; por nëse prishet, prishet i gjithë trupi. Kini kujdes, ajo është zemra!" (Buhari, Muslim) 

Në këtë kontekst, meqenëse në Islam, ndryshe nga mjekësia, zemra nuk trajtohet si organ për funksionimin e trupit, por në aspektin shpirtëror, atëherë mund të themi se nijeti (qëllimi) përfaqëson zemrën ose gjendjen e shpirtit. Nëse ne kemi nijet të pastër, kjo tregon edhe pastërtinë e shpirtit tonë. Dhe nëse qëllimet tona nuk janë të pastra, atëhere kjo tregon se shpirtin e kemi të papastër dhe duhet pastruar. Pra, një zemër e pastër është ajo që ka një nijet të sinqertë dhe që nuk ndotet nga synime të ulëta si hipokrizia, mendjemadhësia apo interesi personal. Sic thuhet ne Kur'an: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (Shems, 9-10)

Nijeti është thelbi i veprave në Islam dhe kriteri kryesor për pranueshmërinë e tyre tek Allahu. Ashtu siç theksohet në Kur'an: "Edhe nëse e fshihni atë që keni në zemrat tuaja ose e publikoni, All-llahu e di atë, Ai di gjithçka ç'ka në qiej e ç'ka në tokë; All-llahu është i plotfuqishëm për çdo send." (Imran, 29)  Ky ajet e përmbledh fuqinë e dijes së Allahut dhe faktin se asnjë veprim nuk mbetet i panjohur prej Tij. 

Rëndësia e nijetit sipas historisë islame

Ngjarja më goditëse që tregon më së miri rëndësinë e nijetit sipas islamit është Migrimi (Hixhreti nga Mekka në Medine). Në periudhën e Mekës, që zgjati rreth 13 vjet, Profeti (paqja qoftë mbi të) u përpoq t’i largonte kurejshët nga idhujtaria dhe t’i thërriste në besimin në një Zot të vetëm. Megjithatë, paria kurejshite e kundërshtoi ashpër dhe e shtoi persekutimin ndaj muslimanëve. Kur situata u bë e padurueshme, Profeti (paqja qoftë mbi të) mendoi ta përhapte mesazhin jashtë Mekës dhe më pas, me urdhërin e Allahut, ai dhe muslimanët migruan fillimisht në Etiopi dhe më pas në Medine, duke i lënë pas pasuritë dhe familjet e tyre.

Në lidhje me këtë sakrificë, Allahu thotë në Kur’an: “Kush del nga shtëpia e tij për të emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe më pas e zë vdekja, shpërblimi i tij është tek Allahu. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirues.” (Nisa, 100)

Pra, nga ky ajet kuptojmë se migrimi ishte një sakrificë e jashtëzakonshme, pasi muslimanët udhëtuan afro 500 km nëpër shkretëtirë në kushte të vështira, dhe ata që e bënë këtë për hir të Allahut fituan shpërblimin e madh të migrimit. Nga ana tjetër, kishte edhe njerëz që nuk arritën dot në destinacion, dhe migrimi i tyre nuk u realizua plotësisht. Megjithatë, ata u shpërblyen sipas nijetit të tyre, edhe pse fizikisht nuk e arritën Medinen, duke marrë sevapin e plotë të migrimit.

Nga ana tjetër, mes emigrantëve kishte edhe një njeri që nuk emigroi për Allahun, por për një grua të quajtur Ummu Kajs, me të cilën dëshironte të martohej. Për këtë arsye, ai u bë i njohur si "Muhaxhiri (migruesi) i Ummu Kajsit". Kjo ngjarje e shtyu Profetin (paqja qoftë mbi të) të thoshte hadithin e njohur: “Veprat vlejnë sipas qëllimeve, dhe çdo njeri do të shpërblehet sipas nijetit të tij. Kush emigron për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, migrimi i tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Por kush emigron për një përfitim material ose për t’u martuar me një grua, atëherë migrimi i tij është për atë që ka synuar.” (Buhariu, Muslimi)

Ndërkohë që disa njerëz morën sevapin e hixhretit pa mundur të arrinin në Medine, ky person, megjithëse e përballoi gjithë rrugëtimin e vështirë, nuk u shpërblye, sepse qëllimi i tij nuk ishte Allahu. Pra, edhe sikur të bëhet fjalë për një vepër aq të madhe dhe aq të vështirë sa hixhreti, diferencën e bën vetëm dhe vetëm nijeti.

Pas çlirimit të Mekës, Profeti (paqja qoftë mbi të) deklaroi: “Pas çlirimit nuk ka më hixhret, por ka përpjekje në rrugën e Allahut dhe nijet.” (Buhariu, Muslimi)Me këtë, Ai bëri të qartë se pas fitores së Mekës, tashmë përpjekja në rrugën e Allahut dhe nijeti i pastër ishin thelbësore për jetën e muslimanit.

Sipas hadithit të nijetit, haxhi i kryer jo për hir të Allahut është thjesht një udhëtim i zakonshëm. Umreja që bëhet për tu relaksuar apo për qëllime turistike, po ashtu. Namazi që nuk falet për Të, s’është gjë tjetër veçse një ushtrim fizik. Akoma më keq, nëse falet për sy e faqe, ai bëhet hipokrizi, dhe hipokritët do të dënohen më rëndë se mohuesit në botën tjetër. Edhe agjërimi, nëse bëhet për arsye të tjera përveç kënaqësisë së Allahut, nuk është më shumë se një dietë, e nëse bëhet për t’u dukur, kthehet sërish në hipokrizi. Këto vepra kanë vlerë dhe shpërblehen vetëm kur kryhen me nijetin e pastër, për hir të Allahut dhe për të treguar bindje ndaj urdhërit të Tij.

Nijeti apo vepra?

I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) e ka shpjeguar këtë çështje në një hadith: "Allahu ka urdhëruar që të shkruhen veprat e mira dhe të këqija." Pastaj ka vazhduar duke thënë: "Nëse dikush ka për qëllim të bëjë një vepër të mirë, por nuk e realizon, Allahu ia shkruan si një vepër të mirë të plotë. Nëse ai e realizon atë, Allahu ia shumëfishon shpërblimin nga dhjetë deri në shtatëqind herë, madje edhe më shumë. Ndërsa, nëse dikush ka për qëllim të bëjë një vepër të keqe, por nuk e kryen, Allahu ia shkruan si një vepër të mirë. Por, nëse ai e kryen atë, Allahu ia regjistron si (vetëm) një mëkat. (Buhariu)

Ky hadith tregon qartë se edhe nijeti për të bërë një vepër të mirë shpërblehet, edhe nëse nuk realizohet. Ndërkohë, Allahu me mëshirën e Tij nuk e ndëshkon njeriun për një mëkat që vetëm e ka menduar, përderisa nuk e ka kryer. Kjo na nxit që mendimet tona të këqija, t’i lëmë me aq, pa i kthyer në veprim. 

Thënia "Nijeti i besimtarit është më i vlefshëm se vepra e tij" (Taberani) tregon se edhe nëse njeriu nuk arrin ta realizojë një vepër, nijeti i sinqertë mbetet dhe shpërblehet. Kjo është një mëshirë e madhe e Allahut, sepse nëse do të llogariteshin vetëm veprat, shumë njerëz do të ndiheshin të mangët. Të diturit se Allahu e shpërblen qëllimin e mirë e ndihmon njeriun ta pasurojë shpirtin dhe të veprojë gjithmonë me synime të mira.

Porfeti ka thënë: "Disa njerëz bëjnë vepra të mira që duken të denja për Xhenet, sipas mendimit të njerëzve, por për shkak të nijetit të tyre, ata janë banorë të Xhehennemit." (Buhari)  Kjo tregon se pamja e jashtme mund të mashtrojë, por Allahu shikon zemrën dhe qëllimin e njeriut.

Sipas Islamit, gjykimi i njeriut nuk bazohet vetëm në veprat e tij të jashtme, por në pastërti dhe sinqeritetin e zemrës. Ndaj, njeriu duhet të reflektojë mbi nijetin e tij dhe të sigurohet që çdo veprim i tij të jetë për kënaqësinë e Allahut. Vetëm në këtë mënyrë, ai mund të shpresojë për pranimin e veprave të tij dhe shpërblimin e vërtetë.

Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Dy muslimanë që nxjerrin shpatat kundër njëri-tjetrit, si vrasësi ashtu edhe i vrari, janë në Xhehenem." (Buhari) Kur Ebu Bekri e dëgjoi këtë, pyeti: "O i Dërguar i Allahut! E kuptoj se pse vrasësi është në Xhehenem, por pse edhe i vrari?" Profeti (paqja qoftë mbi të) iu përgjigj: "Sepse edhe ai kishte vendosur (kishte për qëllim) të vriste shokun e tij." (Muslim) Në këtë rast, edhe pse i vrari nuk e realizoi qëllimin e tij, ai kishte bërë përpjekje dhe kishte për qëllim për të vrarë, ndaj mbante të njëjtën përgjegjësi.

Pse duhet të kemi gjithmonë nijet të pastër?

Gjithashtu, Allahu u thotë engjëjve që shkruajnë veprat: "Nëse robi im mendon të bëjë një të keqe, mos e shkruani derisa ta kryejë. Nëse e bën, shkruajeni siç është. Por nëse e braktis për hirin Tim, shkruajeni si një vepër të mirë." (Muslim) Ky hadith tregon se një mendim i keq nuk llogaritet si mëkat derisa të kthehet në vepër. Por nëse njeriu e braktis atë me vetëdije, për hir të Allahut, ai shpërblehet për faktin që hoqi dorë. Kjo është shenjë e mëshirës së madhe të Allahut dhe e inkurajimit për largimin nga e keqja.

Të menduarit pozitivisht për njerëzit, krijesat dhe gjërat, si dhe të pasurit e një nijeti të pastër, janë pjesë e moralit islam. Por, nijeti i mirë nuk duhet ngatërruar me naivitetin. (Do e trajtoj në një tjetër artikull ndryshimin). Nijeti i sinqertë dhe veprat e mira kanë vlerë në varësi të qëllimit me të cilin kryhen. Profeti (paqja qoftë mbi të) na mëson të përqendrohemi tek jeta e përhershme (Ahireti) dhe jo te kjo botë kalimtare. Kështu nënkuptohet se cilësia e veprave është më e rëndësishme se sasia e tyre dhe se nijeti duhet të jetë vetëm për kënaqësinë e Allahut. Në këtë drejtim, ai ka thënë: "Kush do për hir të Allahut, urren për hir të Allahut, jep për hir të Allahut dhe ndalon për hir të Allahut, ai e ka përsosur besimin e tij."

Ky hadith tregon se një besimtar duhet ta bazojë dashurinë dhe urrejtjen e tij në vlerat që Allahu ka përcaktuar. Kjo nënkupton të duam të mirën dhe ta urrejmë të keqen, pra ta urrejmë padrejtësinë dhe mëkatet, por gjithmonë duke ruajtur drejtësinë dhe mëshirën në sjelljen tonë.

Pastërtia e zemrës është thelbi i Islamit. Sic thotë edhe Profeti Ibrahim në Kur'an: “Dhe mos më turpëro në Ditën, kur do të ringjallen njerëzit, në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Shuara, 87-89) Sepse “Atë ditë Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm, ndërsa Xhehenemi do t’u tregohet atyre që kishin humbur.” (Shuara, 90-91)

Dua: O Allah! Të kërkoj të më ndihmosh ta mbaj nijetin gjithmonë të sinqertë, ta kem zemrën gjithmonë të përulur, gjuhën të angazhuar me përmendjen Tënde dhe më mundëso të bëj vepra të mira që pranohen! Amin!