Syfyri: Sekreti i Ramazanit!

Islami është një rrugë e qartë dhe e plotësuar në çdo detaj. Mësimet e tij përfshijnë çdo aspekt të jetës, duke e udhëzuar besimtarin në çdo hap, vendim dhe moment. Çdo adhurim ka një qëllim, çdo rregull mbart një urtësi dhe çdo veprim ka një drejtim të caktuar. Në Islam, asgjë nuk është e rastësishme, çdo këshillë mbart një urtësi të thellë, dhe pas çdo udhëzimi fshihet një domethënie më e madhe sesa ajo që duket në pamje të parë.

Në këtë shkrim do të preken shumë shkurt disa aspekte të rëndësisë së syfyrit, duke zbuluar pastaj pak më gjatë një anë shumë interesante të këtij adhurimi të këndshëm, i cili nuk na e ushqen vetëm trupin, por edhe shpirtin.

Disa Dobi të Syfyrit

Kush ngrihet për syfyr përfiton nga begatia e tij dhe mëshira e Allahut. Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Zgjohuni për syfyr, sepse në syfyr ka bereqet.” (Buhari). Ai i ka inkurajuar muslimanët të mos e braktisin këtë vakt, qoftë edhe me një gllënjkë ujë, pasi ata që e mbajnë këtë zakon përfitojnë nga lutjet e engjëjve dhe mëshira e Allahut. (Musned)

Përveç vlerës shpirtërore, syfyri ka edhe rëndësi fizike, duke ndihmuar në lehtwsimin e agjërimit. Ky vakt na furnizon trupin me energjinë dhe lëndët e nevojshme për ta shmangur dobësinë dhe lodhjen gjatw ditws. Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) ka theksuar se ngrënia e syfyrit e lehtëson agjërimin.

Si në çdo adhurim, edhe në syfyr, muslimanët dallohen nga besimtarët e feve të tjera. Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Ajo që e dallon agjërimin tonë nga agjërimi i Ithtarwve tw Librit është vakti i syfyrit." (Muslim)

Ndjekja e veprimeve të Profetit është një formë adhurimi që sjell shpërblim dhe afron besimtarin me Allahun. Një prej tyre është edhe zgjimi për syfyr, i cili, përveç përgatitjes fizike, është një akt përkushtimi. Allahu thotë në Kur’an: "Thuaj (O Muhammed!): 'Nëse e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua që Allahu t'ju dojë juve, t'jua falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë dhe mëshiron shumë." (Ali Imran, 31) Ky ajet tregon se dashuria për Allahun shfaqet përmes ndjekjes së rrugës së të Dërguarit të Tij. Prandaj, çdo veprim që lidhet me sunetin, sado i vogël të duket, është një hap drejt mëshirës dhe kënaqësisë së Allahut.

Syfyri është Rutina e Suksesit

Por ndoshta mirësia më e madhe e Ramazanit është se ai na ndihmon të krijojmë një rutinë të çmuar, të cilën në kohë të tjera mund ta kemi të vështirë ta formojmë. Allahu, duke e ditur dobësinë tonë ndaj ushqimit, përmes zgjimit për të ngrënë syfyr, na mwson të zgjohemi në momentin më të rëndësishëm të natës dhe të ditës. Fillimisht, ky zgjim është për të ngrënë, por me kalimin e ditëve, ai bëhet pjesë e përditshmërisë sonë.

Siç dihet, shkencërisht, për të krijuar një zakon të ri, një veprim duhet të përsëritet të paktën për 21 ditë. Ramazani na ofron një mundësi të artë për ta praktikuar këtë rutinë, duke na e mësuar zgjimin e rregullt për 21 ditët e para. Kur kjo bëhet më e lehtë për ne, vjen kulmi i adhurimit, 10 netët e fundit të Ramazanit, ku mund ta shfrytëzojmë këtë ritëm për t’i shtuar adhurimet dhe për të përfituar nga netët më të vlefshme të vitit. Pra, pasi e kemi kthyer në zakon zgjimin herët është koha ta pasurojmë atë me adhurime ekstra. 

Në këtë mënyrë, zgjimi për syfyr nuk mbetet më një përpjekje e vështirë, por shndërrohet në një rutinë të natyrshme që na shoqëron edhe pas Ramazanit. Sepse Ramazani nuk na vlen vetëm gjatë atyre 30 ditëve. Ramazani është një muaj stërvitor që do të na ndihmojë me dobitë e tij edhe gjatë 11 muajve të tjerë. Do të stërvitemi për 1 muaj që të jemi në formën e duhur për 11 muaj. Dhe një nga dhuratat më të mëdha që ai na lë pas është pikërisht lehtësia për t’u zgjuar në këtë orë të bekuar, një mundësi e çmuar për ta mbajtur gjallë lidhjen tonë me Allahun gjatë gjithë vitit.

Kjo është një stërvitje e mrekullueshme, e cila nuk sjell dobi vetëm në aspektin shpirtëror, por edhe në shëndet, disiplinë, motivim dhe sukses. Një mendje dhe trup i shëndetshëm burojnë nga një rutinë e rregullt dhe e qëndrueshme. Por mbi të gjitha, kjo na ndihmon të forcojmë lidhjen më të rëndësishme në jetën tonë, lidhjen tonë me Allahun.

Për ta forcuar këtë lidhje që është ushqimi ynë kryesor për shpirtin dhe mendjen si dhe për të arritur sukses edhe në punët e kësaj bote, Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) na këshillon të zgjohemi në momentin më të vlefshëm të natës, atë çast kur lutjet pranohen dhe kur njeriu, mes qetësisë së gjithçkaje përreth, gjen paqen e vërtetë përmes faljes dhe meditimit. Ky zgjim nuk është vetëm një sfidë që kërkon përpjekje, por një dallim i të devotshmëve, të cilët Allahu i përshkruan me fjalë lavdëruese: "E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: 'Paqe!' Dhe që për hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen)." (Furkan, 63-64)

Allahu i përmend gjithashtu të devotshmit si ata që pak flenë natën dhe në syfyr kërkojnë falje për mëkatet e tyre: "Të devotshmit janë në kopshte e burime, të kënaqur me atë që u dha Zoti i tyre. Ata ishin mirëbërës, pak flinin natën dhe në syfyr kërkonin falje." (Dharijat, 15-18)

Duke na udhëzuar të përfitojmë nga ky moment i bekuar, Allahu i Lartë thotë: "Kalo një pjesë të natës, si falje shtesë për ty! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë në një vend të lavdëruar." (Isra, 79)

"Prandaj, le të mos e shohim syfyrin thjesht si një zakon të agjërimit, por si një mundësi për të pastruar shpirtin, për të forcuar disiplinën dhe për të ndjerë ëmbëlsinë e adhurimit në një nga momentet më të bekuara të ditës."