Të bëjmë gjëra të lehta apo t’i bëjmë gjërat të lehta?
Ekziston një dallim i madh midis shprehjeve: "të bësh gjëra të lehta" dhe "t’i bësh gjërat të lehta", dhe është thelbësore ta kuptojmë qartë këtë. Kur i kuptojmë saktësisht fjalët dhe mendimet tona, bëhemi më të qartë edhe për qëllimet që kemi dhe gjërat që duam të bëjmë.
"Të bësh gjëra të lehta" do të thotë t’i zgjedhësh punët më të thjeshta, por rrallë herë gjërat që bëhen lehtësisht na sjellin dobi të mëdha.
"T’i bësh gjërat të lehta" do të thotë t’i thjeshtosh punët e vështira duke i ndarë në hapa më të vegjël, në mënyrë që t’i kryesh më lehtë, pa u munduar shumë.
Pra, e para është për shmangien totale të vështirësive, ndërsa e dyta është për përballjen me vështirësitë, por duke i bërë ato më të thjeshta për veten tënde.
Shpeshherë na duket sikur "të bëjmë gjëra të lehta" është më mirë. Kjo, jo sepse jemi dembele, por kështu funksionon truri i njeriut, duke zgjedhur të lehtën për të kursyer energji. Sepse çdo veprim kërkon një sasi të caktuar energjie. Sa më shumë energji të nevojitet për një punë, aq më pak gjasa ka që ajo të kryhet. Ndërkohë, zakonet që kërkojnë pak përpjekje realizohen më lehtë dhe më shpejt.
Nuk është njësoj motivimi që do të kishim për të palosur 5 palë rroba me një pjesë komplet të garderobës. Për 5 veshje do të nrgiheshim direkt dhe do të ndiheshim të lumtura teksa i palosnim ngaqë janë pak. Ndërsa ajo pjesa rrëmujë e garderobës, mund të na marrë edhe ditë derisa të na vijë frymëzimi ose motivimi për t’i bërë. Sic nuk është njësoj të lash vetëm enët e mëngjesit me larjen ë gjithe tenxhereve e tiganëve të një nate më parë. Pastaj ndryshe është kur do na vijë ndonjë misafir dhe ngrihemi e i bëjmë me shpejtësinë e dritës! 😅
Kjo është arsyeja pse veprime si qëndrimi në telefon apo shikimi i televizorit zënë kaq shumë nga koha jonë - ato mund të bëhen thuajse pa asnjë mundim. Madje, na ndodh shpesh që, edhe pse nuk e kishim në planin tonë ditor të shihnim video apo TV, papritur e gjejmë veten për një kohë të gjatë në telefon ose para televizorit. Duket sikur truri ynë i zgjedh disa gjëra pa e vënë re ne. Lehtësia dhe komoditeti i këtyre aktiviteteve i bëjnë ato shumë tërheqëse për trurin, duke u kthyer shpejt në një pjesë të pandashme të jetës sonë të përditshme.
Prandaj, është në të mirën tonë ta kuptojmë se si funksionon psikologjia, në mënyrë që të mos i bëjmë padrejtësi vetes duke u vetëquajtur "dembele". Kategorizimet negative janë gjithmonë të rrezikshme dhe një kategorizim i tillë mund të na bëjë realisht të tillë, sepse truri e përthith si një të vërtetë. Pra nëse e përsërisim vazhdimisht mendimin se nuk po ngrihem dot t’i bëj punët sepse "po përtoj”, “oh sa dembele jam", “ah ky dembelizmi!” etj. truri mund ta perceptojë këtë frazë si të vërtetë dhe mund të bëhemi me të vërtetë të tilla.
Dhe meqenëse truri ynë "bindet" më shpejt kur detyrat na duken të lehta dhe tërheqëse, atëherë pse të mos e përdorim këtë në favorin tonë? Duke përdorur teknika që na mësojnë si t’i organizojmë punët në mënyrë që të duken të thjeshta dhe të arritshme, ne mund ta ndihmojmë trurin të kalojë në veprim pa shumë hezitim.
A është e gabuar të zgjedhësh më të lehtën?
Zgjedhja e rrugës më të lehtë nuk është negative. Sepse zgjedhjet më të thjeshta na ndihmojnë ta ruajmë energjinë për punë më të rëndësishme. Një nënë me fëmijë ka gjithmonë shumë punë për të bërë, duke shtuar edhe zhvillimin personal të saj rruga e vetme për një jetë të qetë brenda shtëpisë është mirë-organizimi i këtyre punëve. Në të kundërt, mungesa e organizmit në punët ë përditshme do të sjellë pasoja në të gjitha aspektet e jetës së një nëne amvise. Le të marrim dy shembuj nga dy nëna amvise të ndryshme:
Nëna A:
Të marrim shembullin e Nënës A, e cila nuk është shumë e organizuar në përditshmërinë e saj. Punët e saj ndërpriten shpesh, dhe ajo e kalon gjithë ditën duke u marrë me një gjë e duke e lënë tjetrën përgjysmë. Kur vjen mbrëmja, ajo ende nuk ka përfunduar gatimin e darkës, larjen e rrobave apo pastrimin e shtëpisë. Lodhur nga tërë kjo rrëmujë dhe me energji të shteruar, ajo shpesh nuk ka as shumë dëshirë për të gatuar dhe përfundon duke përgatitur diçka të shpejtë, vetëm sa për të kaluar vaktin.
Për më tepër, nuk i ka mbetur kohë për t’u kujdesur për veten. Edhe pse përpiqet të mos e tregojë stresin dhe të jetë e dashur me fëmijët, mungesa e organizimit dhe lodhja e përditshme i marrin natyrshmërinë e lumturisë. Në vend që të shfaqë dashurinë me qetësi dhe gëzim, ajo ndjen një presion të brendshëm që përfundon duke u reflektuar në veprimet dhe sjelljen e saj. Ky stres, sado të mbahet brenda, një moment do të dalë në sipërfaqe dhe mund të ndikojë edhe te marrëdhëniet brenda familjes.
Organizimi është fundamental jo vetëm për t’i përfunduar punët, por edhe për ta ruajtur qetësinë shpirtërore dhe harmoninë në familje.
Nëna B:
Nga ana tjetër, të marrim shembullin e Nënës B. Që nga mëngjesi e deri kur shtrihet për të fjetur, ajo e ka shumë të qartë se çfarë dhe kur do ta bëjë. Ajo i zbaton teknikat që e ndihmojnë t’i bëjë pa sforcim edhe punët që i ka më shumë bezdi. Gatimi fillon dhe përfundon në kohë, pastrimi dhe rrobat janë kryer pa vonesa, dhe kur momenti i mbledhjes familjare për darkë vjen, ajo ka ende energji të mjaftueshme.
Ajo përgatit ushqime të shijshme dhe, ndoshta, edhe një çaj të ngrohtë me një kek për pas darke. Mbi të gjitha, ndihet e plotësuar dhe e përmbushur që i ka përmbushur me sukses detyrat e saj gjatë ditës. Kjo lumturi e brendshme i buron natyrshëm dhe reflektohet te familjarët, duke krijuar një atmosferë dashurie dhe harmonie që i lidh akoma më shumë të gjithë me njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë, organizimi dhe qartësia i japin jo vetëm qetësi Nënës B, por edhe cilësi jetës së familjes së saj.
Si ta Thjeshtojmë Kryerjen e Punëve të Përditshme
Siç e përmenda edhe më lart, zakonet dhe detyrat e ndërlikuara krijojnë pengesa. Thjeshtimi i tyre i bën më të lehta dhe të realizueshme, edhe pa shumë motivim. Ja disa shembuj të thjeshtë për ilustrim:
Shembulli 1:
Nëse e përgatisim gjithçka paraprakisht, si mbushja e lavatriçes që në mbrëmje dhe hedhja e detergjentit në të, gjithçka që mbetet është vetëm një shtypje butoni në mëngjes. Kështu, kur zgjohemi dhe shkojmë për të larë fytyrën, e shohim që lavatriçja thjesht pret një prekje të vogël. Ky proces na kursen kohë dhe përpjekje, duke e bërë zakonin më tërheqës dhe të lehtë për t’u ndjekur. Njëkohësisht edhe na motivon që po bëjmë dicka, qoftë edhe e lehtë sa një prekje butoni. Në të kundërt, nëse rrobat nuk janë të ndara në shporta sipas ngjyrës ose materialit, duhet të seleksionohen, të shtohen detergjentet dhe të caktohet programi larës. Këto veprime, edhe pse jo të vështira, kur bëhen njëra pas tjetrës, mund të na shtyjnë ta lëmë detyrën për më vonë ose ta fillojmë ditën pa dëshirë dhe vullnet.
Shembulli 2:
Një tjetër shembull i rëndësishëm është grumbullimi i tepërt i rrobave. Nëse presim që të mbledhim shumë rroba dhe t’i lajmë të gjitha njëherësh, procesi i mëpasshëm - varja, palosja dhe hekurosja - mund të na duket i lodhshëm dhe dërrmues. Nga ana tjetër, larja e një sasie të vogël çdo ditë, e kthyer në një rutinë të lehtë dhe të qëndrueshme, kërkon shumë më pak përpjekje dhe shmang stresin e një mal rrobash në pritjen tonë. Kjo qasje na ndihmon jo vetëm të kursejmë kohë, por edhe të ruajmë një ndjenjë qetësie dhe kontrolli mbi detyrat tona të përditshme.
Shembulli 3:
Kur përgatisim darkën dhe bufeja mbushet me tenxhere, lëvore perimesh dhe rrëmujë nga cepi në cep, shpesh përfundojmë duke shtuar aty edhe pjatat e tryezës pas ngrënies. Lodhur dhe pa shumë vullnet, shpesh presim një "frymëzim" për ta pastruar kuzhinën me themel. Kjo situatë, edhe pse e zakonshme, mund të jetë një burim stresi.
Por nëse, ndërkohë që gatuajmë, fillojmë ta sistemojmë pak nga pak dhe derisa mbaron gatimi ne e kemi vendosur gjithçka në vendin e vet, shmangim grumbullimin e rrëmujës që shpesh na duket e lodhshme dhe demotivuese. Kur darka përfundon, do të na mbeten vetëm disa pjata nga tryeza për t’i larë ose futur në lavastovilje – një detyrë që duket e lehtë dhe aspak frikësuese dhe me shumë mundësi nuk do të "përtonim”fare ta bënim, përkundrazi kuzhina e pastër do na motivonte mos të shihnim as edhe një gotë të palarë në të.
Duke i kryer punët pak nga pak dhe me vazhdimësi, lirohemi nga stresi dhe krijojmë një ritëm natyral, që na ndihmon t’i përfundojmë ato me lehtësi dhe kënaqësi, pa ndjerë sforcim apo mbingarkesë. Të njëjtën logjikë mund të përdorim edhe për punët e tjera, të cilat do t’i cek në shkrimet e ardhshme.
Si përfundim:
Prirja për të zgjedhur rrugën më të lehtë është pjesë e natyrës sonë njerëzore dhe shpesh është një mbrojtje për të ruajtur energjinë tonë mendore dhe fizike. Por për të arritur qëllime të mëdha dhe për të bërë ndryshime të rëndësishme në jetë, duhet të mësojmë të sfidojmë këtë tendencë duke u fokusuar te zakonet e qëndrueshme dhe qëllimet afatgjata. Siç thotë edhe James Clear: "Ti merr atë që përsërit." Veprimet e vogla të përditshme janë ato që përfundimisht ndërtojnë suksesin tonë të madh.