Tendenca për të Zgjedhur Rrugën më të Lehtë Sipas Biologjisë, Psikologjisë dhe Fizikës (1)

Natyra njerëzore ka një prirje të lindur për të ndjekur rrugën më të thjeshtë dhe për t’i shmangur përpjekjet e tepërta. Ky fenomen njihet si "Ligji i Përpjekjes më të Vogël" (Law of Least Effort), për të cilin ka plot shpjegime shkencore: biologjike, psikologjike dhe fizike.

Shpjegimi Biologjik: Kursimi i Energjisë

Njeriu është biologjikisht i ndërtuar për të kursyer energji. Në kohët e lashta, kur burimet si ushqimi dhe uji ishin të kufizuara, kursimi i energjisë ishte një strategji e domosdoshme për mbijetesë. Edhe sot, truri ynë e ka prirjen t’i shmangë aktivitetet që kërkojnë shumë energji dhe t’i favorizojë zgjedhjet që duken më të lehta dhe më të aksesueshme. 

Për shembull, truri ynë konsumon rreth 20% të energjisë totale të trupit, megjithëse përbën vetëm 2% të peshës së trupit. Ky organ i fuqishëm kërkon shumë glukozë dhe oksigjen për të funksionuar, prandaj i shmang aktivitetet mendore komplekse kur është e mundur. Kjo është një nga arsyet pse shpesh hezitojmë të mësojmë dicka të re nga librat por preferojmë të shohim një video në lidhje me atë temë. 

Gjithashtu, kur përballemi me një zgjedhje fizike, muskujt tanë priren ta kursejnë energjinë. Për shembull, kur kemi mundësi të zgjedhim midis përdorimit të shkallëve dhe ashensorit, shumica prej nesh zgjedhim ashensorin. Kjo zgjedhje është automatike dhe buron nga prirja jonë biologjike për të kursyer energji, edhe pse përdorimi i shkallëve do të ishte më i dobishëm për shëndetin tonë afatgjatë. Ndërsa ata që i zgjedhin shkallët, i zgjedhin me vetëdije për ta ushtruar trupin fizikisht ose nga klaustrofobia. 

Megjithatë, tendenca për të zgjedhur rrugën e lehtë, nuk duhet parë domosdoshmërisht si negative. Në fakt, është pikërisht kjo tendencë që i ka nxitur zhvillimet më të mëdha të njerëzimit. Nga kërkimi për mënyra më të lehta dhe më efikase për t’i përmbushur nevojat tona, njerëzit kanë shpikur dhe përmirësuar teknologji të ndryshme që na e kanë lehtësuar jetën në cdo aspekt. Për shembull, nga shpikja e rrotës deri te zhvillimi i transportit modern dhe robotikës, është pikërisht kjo dëshirë për të kursyer energji dhe kohë, që na ka sjellë në botën urbane dhe të zhvilluar ku jetojmë sot. Prandaj, kjo prirje biologjike mund të shihet si një forcë lëvizëse për inovacion dhe përparim.

Shpjegimi Psikologjik: Pse i Zgjedhim Gjërat më të Lehta?

a. Truri ynë kërkon shpërblime të menjëhershme

Kur përballemi me një zgjedhje midis diçkaje të thjeshtë dhe diçkaje të vështirë, zakonisht zgjedhim opsionin më të lehtë sepse na jep një ndjesi shpërblimi të menjëhershëm. Ky është rezultat i një mekanizmi në tru që na shtyn drejt kënaqësisë së shpejtë dhe përpjekjeve të vogla. Për shembull, kur një amvise përballet me zgjedhjen midis përgatitjes së një darke nga e para dhe përdorimit të një ushqimi gjysmë të gatshëm, ajo mund të zgjedhë opsionin e dytë. Përgatitja nga e para kërkon kohë dhe përpjekje për planifikim, gatim dhe pastrim, ndërsa një ushqim gjysmë i gatshëm është më i shpejtë dhe kursen energji, duke u dukur si një zgjidhje më praktike. 

Nëse duhet të zgjedhin midis përgatitjes së një ushqimi gjysmë të gatshëm dhe porositjes nga jashtë, shumica e nënave, veçanërisht kur janë të lodhura, do të zgjedhin opsionin e dytë për komoditetin që ofron. Ndërsa ato që preferojnë gatimin në shtëpi e marrin këtë mundim me vetëdije, për një vakt më të shëndetshëm ose për të kursyer para.

Shembuj të tillë janë të shumtë dhe tregojnë qartë tendencën tonë për të zgjedhur rrugën më të lehtë. Megjithatë, punët e shtëpisë dhe mënyrat se si mund t’i kthejmë ato në zgjedhje të lehta janë një temë që do ta parashtroj gjerësisht në këtë blog. Në pjesën artikullin tjetër për këtë temë, do të diskutojmë për atë që na intereson neve si amvisa në jetën e përditshme.

b. Shmangia e gabimeve dhe humbjes së kohës

Detyrat e vështira shpesh shoqërohen me frikën nga dështimi, duke na drejtuar drejt zgjedhjeve të njohura dhe më të lehta për t’i shmangur gabimet dhe humbjen e kohës. Kjo është arsyeja pse preferojmë të përdorim produkte të njëjta, të blejmë nga dyqane të njohura apo të gatuajmë receta që i kemi provuar më parë. Eksperienca paraprake me këto zgjedhje na jep siguri dhe na ndihmon t’i shmangim pasiguritë që sjellin alternativat e reja. Për shembull, zgjedhja e një detergjenti të ri mund të shkaktojë shqetësime mbi efektivitetin e tij, ndërsa një ushqim i panjohur ngre pikëpyetje mbi shijen dhe cilësinë.

Kjo prirje bëhet më e dukshme kur kemi pak kohë, veçanërisht në jetën me fëmijë, ku prakticiteti dhe menaxhimi i shpejtë i situatave janë kyçe. Përballë zgjedhjeve të shumta, preferojmë opsionet e njohura që kërkojnë më pak analizë dhe kohë. Këto vendime jo vetëm që minimizojnë rrezikun e komplikimeve, por na ndihmojnë ta kursejmë energjinë për detyra të tjera të rëndësishme. 

c. Zakonet e vjetra nuk kërkojnë përpjekje të trurit

Zakonet janë modele sjelljeje që përsëriten automatikisht, pa kërkuar përpjekje të vetëdijshme. Truri i njeriut është i programuar për të kursyer energji, duke i favorizuar veprimet që janë të njohura dhe të rehatshme. Kjo është arsyeja pse ndryshimi i zakoneve shpesh kërkon një energji mendore shtesë, të cilën truri tenton ta shmangë për të ruajtur ekuilibrin e tij.

Për shembull, nëse jemi mësuar të gatuajmë receta tradicionale apo të zakonshme, shpesh preferojmë t'i përsërisim ato në vend që të eksperimentojmë me gatime të reja dhe më të shëndetshme. Procesi i kërkimit të një recete të re, i mësimit të përgatitjes dhe përballjes me pasigurinë e rezultatit kërkon përpjekje të qëndrueshme, e cila mund të duket e lodhshme dhe na step nga eksperienca të reja. Kjo ndodh sepse truri e percepton ndryshimin si një sfidë dhe preferon rrugën e njohur që kërkon më pak energji dhe kohë. Edhe faktin që kur na vjen një misafir surprizë për një moment coroditemi, ndodh ngaqë truri ishte përgatitur për një tjetër rutinë apo plan gatimi. 

Shpjegimi fizik: Si lidhet ky ligj me fizikën dhe universin?

Ligji i Përpjekjes më të Vogël është një parim universal dhe shfaqet në shumë aspekte të natyrës dhe fizikës, duke na ofruar shembuj të qartë të mënyrës se si materia vepron për të kursyer përpjekje dhe energji. Këtu janë disa shembuj konkretë nga natyra dhe shkenca:

Uji gjithmonë zgjedh rrugën e rezistencës më të vogël. Ai lëviz përreth pengesave dhe rrjedh nëpër shtigjet më të sheshta ose më të pjerrëta, duke kursyer energji. Edhe truri njerëzor ndjek këtë parim. Sinjalet elektrike në sistemin nervor lëvizin përgjatë shtigjeve më efikase, të cilat forcohen me përsëritje. Prandaj, zakonet formohen kur truri krijon "shtegun e zakonshëm" që kërkon më pak energji për t’u përdorur herën tjetër. Sic ndodh me memorizimin e një fjale të re, që duhet përsëritur për t’u mbajtur mend.

Kafshët e përdorin energjinë e tyre me kujdes. Për shembull, zogjtë formojnë formacione në fluturim, si "V", për të zvogëluar rezistencën e ajrit dhe për të kursyer energji. Peshqit lëvizin në tufë për t’i shfrytëzuar rrymat ujore dhe për të kursyer përpjekje në notim. Bimët rriten në drejtim të dritës sepse kjo është mënyra më efikase për të marrë energjinë që u nevojitet për fotosintezë. Kjo strategji e optimizimit të energjisë është një manifestim tjetër i Ligjit të Përpjekjes më të Vogël.

Ajri lëviz nga zonat me presion të lartë drejt atyre me presion të ulët, duke krijuar erëra. Kjo lëvizje ndodh natyrshëm për t’i barazuar ndryshimet e presionit, duke kërkuar energjinë më të ulët të mundshme për ta bërë këtë. Këto shembuj nga natyra dhe shkenca tregojnë se Ligji i Përpjekjes më të Vogël është një parim universal që udhëheq jo vetëm sjelljen tonë njerëzore, por edhe mënyrën se si funksionon universi.

Prandaj, një tendencë e tillë nuk është vetëm pjesë e natyrës njerëzore, por edhe e vetë mënyrës se si funksionon universi. Ky ligj universal reflekton ritmin dhe rregullat e jetës. Është thelbësore ta kuptojmë si fenomen, veçanërisht nga këndvështrimi psikologjik, për të ditur si t’i perceptojmë dhe menaxhojmë reagimet tona ndaj zakoneve që kemi formuar. Për më tepër, ky ndërgjegjësim është kyç për t’i ndryshuar zakonet e vjetra dhe për të krijuar rutina të reja.