Universiteti i Jetës: Provimi Final dhe Dy Grupet Kryesore
Përkufizimet për jetën janë të pafundme, por le ta mendojmë si një universitet të madh, ku të gjithë jemi studentë dhe, në fund, do të përballemi me një “provim final”. Edhe universiteti më i thjeshtë, përveçse ofron njohuri, ka të drejtë të kërkojë llogari për punën e bërë nga studentët. Në mënyrë të ngjashme, jeta na është dhënë si një dhuratë e paçmuar, por njëkohësisht edhe si një test për të parë çfarë rezultatesh do të arrijmë.
Një nga veçoritë më të mëdha të këtij “universiteti” unik është se data e provimit final nuk dihet kurrë. Ky provim mund të ndodhë sot, nesër, pas një viti, apo atëherë kur ne nuk e presim aspak. Në jetën reale, kjo simbolizon vdekjen: e dimë se do të ndodhë, por nuk mund ta dimë saktësisht se kur. Megjithatë, reagimi i njerëzve ndaj kësaj të vërtete është i ndryshëm:
Disa njerëz (studentë) e injorojnë plotësisht faktin se do të ketë një provim final. Ata e jetojnë përditshmërinë sikur të mos ketë fare vlerësim në fund të saj. Nuk përgatiten pothuajse kurrë, me mendimin se do të përgatiten për të më vonë. Madje disa mundohen ta mohojnë dhe mendojnë se duke e mohuar ekzistencën e provimit (ose vdekjes), në të vërtetë do t’i shpëtojnë asaj.
Të tjerët e marrin shumë seriozisht këtë provim final. Janë të vetëdijshëm se një ditë gjithçka do të vihet në peshore. Studiojnë rregullisht, d.m.th, e planifikojnë jetën e tyre sipas së vërtetës se ajo është e kufizuar, ndaj nuk e lënë për në çastin e fundit përgatitjen. Edhe nëse “testi vjen papritur”, ata janë më të qetë, sepse përgatitja e tyre ka qenë e vazhdueshme.
Pikërisht këto dy qasje shpjegojnë pse disa individë duken gjithnjë në garë me kohën, duke e shfrytëzuar çdo ditë për të rezultate më të mira në atë provim final, ndërsa të tjerë e shohin jetën si një aventurë pa pasoja përfundimtare. Për ta kuptuar më mirë krahasimin e jetës me universitetin, le t’i ndajmë studentët në dy grupe kryesore.
1. Studentët Dembelë
Në thelb, këta studentë e dinë që një ditë do të duhet të testohen për gjithë punën dhe përgatitjen e tyre ndër vite, por preferojnë t’i shmangen përgatitjes duke zgjedhur kënaqësi momentale. Për ta, kënaqësitë e çastit janë gjithmonë përpara çdo planifikimi afatgjatë, ndaj nuk i shohin si të domosdoshme leksionet, detyrat apo ushtrimet e përditshme.
Kur profesori shfaqet me një provim të befasishëm (metafora për vdekjen që shfaqet papritur), këta studentë mbeten krejt të papërgatitur. Shpesh përfundojnë duke kërkuar ndihmë a duke u munduar të kopjojnë në mënyrë të dëshpëruar. Në rastin më të keq, e dorëzojnë fletën pa përgjigje, sepse s’kanë asgjë për të shkruar.
E habitshme është sesi ata shokohen nga “surpriza,” kur dihet botërisht se ky test është i pashmangshëm dhe i njoftuar për të gjithë, pa përjashtim. Madje nuk bëhet fjalë për një provim të zakonshëm, por për atë vendimtarin, që përcakton gjithë të ardhmen e tyre. është me të vërtetë e cuditshme se si një njeri mund ta neglizhojë një finale kaq të rëndësishme, ndërkohë që dihet me siguri se do t’i vijë përballë një ditë? Cfarë mund të ketë më të rëndësishme se aq?
Këta studentë simbolizojnë ata njerëz që, edhe pse e dinë se vdekja mund të vijë në çdo çast, nuk e marrin kurrë seriozisht këtë realitet. Të zhytur në dëfrimet e përkohshme të kësaj bote, ata e shtyjnë idenë e “asaj dite” duke besuar se ende kanë kohë mjaftueshëm. Por, kur vjen çasti i fundit, “testi” ka nisur tashmë dhe është tepër vonë për t’u kthyer mbrapa.
2. Studentët e Zellshëm
Këta studentë janë të vetëdijshëm për provimin final dhe punojnë çdo ditë për të qenë gati. Çdo leksion e dëgjojnë me vëmendje, duke e parë si një mundësi për t’u përgatitur për atë moment vendimtar, ndërsa çdo detyrë e kryejnë rregullisht, duke e vlerësuar si një gur themeli në ndërtimin e suksesit të tyre. Megjithatë, performanca e tyre e shkëlqyer në auditor nuk i pengon të kenë një jetë sociale të pasur dhe të investojnë në zhvillimin e tyre personal.
Kjo nuk do të thotë se gjithçka është e lehtë për ta, përkundrazi. Edhe ata përballen me tundimet e kënaqësive të çastit dhe shpesh gjenden përpara një lufte të brendshme: të ulen për të studiuar, apo të dalin për një shëtitje. Por, në fund, ndryshe nga kategoria tjetër, ata me vetëdije e zgjedhin atë që mund të duket më e vështirë në moment, por më e dobishme për të ardhmen.
Ata kujdesen të “punojnë” për Ditën e Madhe, duke e pasur parasysh se ajo është më e rëndësishme, por pa e nënvlerësuar jetën studentore, pra këtë botë ku jetojnë përkohësisht. Arrijnë rezultate të mira akademike, intelektuale dhe shpirtërore, por njëkohësisht e shijojnë jetën brenda normave të arsyeshme dhe të lejueshme. Në një këndvështrim shpirtëror, kjo i ngjan urtësisë Kuranore: “Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu ta fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos e harruar pjesën tënde në këtë botë! Bëju mirë të tjerëve, ashtu sic të ka bërë mirë ty Allahu…” (Surja Kasas, 77).
Kur profesori vjen me testin “e papritur” - që në fakt pritej nga të gjithë - këta studentë nuk kanë pse të tremben, sepse janë përgatitur në mënyrë sistematike. Punojnë pa ndërprerje, duke gjetur gjithmonë ekuilibrin mes detyrave akademike dhe shijimit të jetës, prandaj edhe e kalojnë provimin me sukses. Në të vërtetë, ata janë më të mençurit, sepse e dinë si t’i shijojnë të gjitha: studimet, jetën sociale, arritjet dhe sukseset. Por mbi të gjitha, ata gëzojnë një qetësi shpirtërore të jashtëzakonshme, pasi po përgatiten pa reshtur për ditën më të rëndësishme. Dhe kjo qetësi nuk mund të krahasohet me asnjë kënaqësi kalimtare të kësaj bote.
Si përfundim:
Është në dorën tonë të zgjedhim se si do ta jetojmë këtë jetë, brenda kufijve që na lejojnë zgjedhjet tona. Mund të përgatitemi ditë pas dite, duke e ruajtur qetësinë e thellë shpirtërore të atij që e di se ndodhet në rrugën e duhur. Ose mund të zgjedhim ta injorojmë fundin e pashmangshëm dhe ta jetojmë vetëm çastin, me justifikimin se “vetëm një jetë kemi.”
E vërteta është se të gjithë ne vetëm një jetë kemi në dispozicion, por ajo që e bën ndryshimin është pikërisht filozofia që zgjedhim: a do të jemi udhëtarë largpamës, apo kalimtarë të hutuar nga shkëlqimi i përkohshëm i çdo ditë? Kjo është zgjedhja që përcakton rrugën tonë.